Familja që kërkon dromca ushqimi në mbeturina – pasqyrë e dëshpërimit në rritje në Gaza
Deir Al-Balah, Rripi i Gazës (AP) – Përderisa mizat po gumëzhinin përreth tyre, një grua dhe e bija e saj po gjurmonin nëpër grumbullin e qeseve me mbeturina për ndonjë copë ushqim të hedhur. Pranë një ndërtese të shkatërruar në Gaza, ato po ecnin në këmbë. Gjetën një pjesë të vogël me oriz, pak copëza bukë dhe një kuti me mbetjet e djathit të bardhë ende brenda saj.
Zonja Islam Abu Taeima i hoqi copëzat e lagura nga një copë buke dhe pjesën e thatë e vendosi në qese. Ato që i gjeti do t’i dërgojë në shkollën ku ajo dhe qindra familje të tjera jetojnë, do t’i vlojë dhe do t’ua shërbejë pesë fëmijëve, tha Abu Taeima.
"Po vdesim urie. Nëse nuk hamë, do të vdesim"- shtoi ajo, raporton agjencia e lajmeve "Associated Press".
Kërkimi i ushqimit në këtë formë nga gruaja palestineze është një shenjë e re e thellësisë së dëshpërimit që po arrihet në Gaza, ku popullsia prej rreth 2,3 milionë banorësh është shtyrë drejt urisë ekstreme nga bllokada gati tremujore e autoriteteve izraelite. Hyrja e një sasie të vogël të ndihmave javën e kaluar nuk ka bërë pothuajse asgjë për ta lehtësuar situatën.
Para luftës, ishte gjë e rrallë të shihje ndonjë njeri duke kërkuar në mbeturina për çfarëdo qoftë, pavarësisht varfërisë së gjerë në Rripin e Gazës.
Që nga fillimi i fushatës ushtarake izraelite pas sulmeve të Hamasit më 2023, është bërë e zakonshme që të shohësh fëmijë duke kërkuar nëpër mbeturina për copa druri ose plastike që përdoren nga familjet e tyre për zjarr gatimi ose për ndonjë objekt tjetër që mund të shitet – por jo për ushqim. Për ushqim, ata mund të kërkojnë në rrënoja të ndërtesave të dëmtuara, duke shpresuar për ushqim të konservuar që është braktisur.
Por zonja Abu Taeima thotë se nuk i kanë mbetur mundësi të tjera. Ajo dhe e bija 9-vjeçare, Waed, enden nëpër Qytetin Gaza, duke kërkuar ushqime të hedhura në mbeturina.
“Kjo është jeta jonë ditë për ditë. Nëse nuk grumbullojmë asgjë, atëherë nuk hamë” – tha ajo.
Është ende e pazakonshme, por njerëzit që mbledhin ushqim nëpër mbeturina shihen kohë pas kohe. Disa dalin natën për shkak të turpit.
“Më vjen keq për veten, sepse jam e shkolluar dhe, pavarësisht kësaj, po ha nga mbeturinat” – tha Abu Taeima, e cila ka diplomë baçelor në gjuhë angleze nga Universiteti i Hapur Al-Quds në Gaza./Nacionale