Efekti i një fetfaje - NACIONALE

Efekti i një fetfaje

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Natyrisht që Homeini nuk e ka lexuar ‘Vargjet Satanike’ të Selman Rushie-së. Nuk e ka lexuar as sulmuesi i tij, i cili e sulmoi Selman Rushdie-in për vdekje, por për fat të mirë ai shpëtoi. Homeini e nxorri fetfanë e tij për të shkaktuar lindjen e një fenomeni që nuk kishte të bënte vetëm me autorin e veprës në fjalë. Qëllimi i parë i Homeinit ka qenë që t’ua mbyllte gojën intelektualëve myslimanë, t’i deskreditonte në mesin e myslimanëve kurse ata (intelektualët) të ndjeheshin të pasigurt kudo që jetonin nëse tentonin të kritikonin. Qëllimi i dytë ka qenë prova se sa do të kishte efekt fjala e tij në botën myslimane. A do ta kalonte urdhëri i tij kufirin e shiasë e të zinte vend edhe të sunitët? Homeini provoi të ishte lider global shpirtëror edhe jashtë kufijve të Iranit.

Pas vdejkes se Homeinit, shteti iranian nuk është marrë me punën e kësaj fetfaje. Madje, disa zyrtarë iranianë shpesh kanë deklaruar se mund ta vritnin autorin në fjalë kurdo që dëshironin, por as që u shkonte mendja për këtë gjë. Do ta hiqnin edhe fetfanë, por nuk ka mundësi pasi që fetfaja shfuqizohet vetëm nga ai që e ka nxjerrë. Edhe Selman Rushdie e dinte se nuk do të sulmohej nga shteti iranian dhe këtë ua kishte thënë miqëve të tij disa herë. Por, ai e dinte se cili do të ishte efekti i kësaj fetfaje në botën e madhe, e cila është plot me budallenj dhe fanatikë religjioz, myslimanë në këtë rast.

Në vitin 1999 Selman Rushdie ishte ndër të parët nga grupi i intelektualëve britanikë që u bë zëri i arsyes për Kosovën. Ai kërkonte mbrojtjen e shqiptarëve duke bërë thirrje që të intervenohet ushtarakisht në Kosovë. Prandaj, unë vendosa ta intervistoj. Si do ta gjeja unë Selman Rushdie-n? Pasi që ai mbrohej nga shërbimi sekret britanik, nuk i dihej adresa. Nuk ekzistonte kontakti me të. Nëse, paraqitej dikund, nuk e merrje vesh paraprakisht dhe nuk kishte mundësi t’i afroheshe. Fillova nga njerëzit që i njihja dhe që ma merrte mendja se do të më ndihmonin. Pas disa ditëve, kontakt pas kontakti, e gjeta lidhjen. Në fakt njeriu që ishte në lidhje me të, ka qenë një zyrtar i lartë i partisë Social-Demorate britanike, i cili radhitej ndër miqtë e Kosovës. Unë e njihja këtë njeri, por nuk e dija që ishte mik i Selman Rushdie-s, dhe nga më të besueshmit e tij.

Sidoqoftë, Selman Rushdie pranoi që të intervistohej, por caktimi i kohës dhe vendit, nuk varej nga ai. Prandaj, unë duhej të prisja. Pas disa javësh mua më erdhi lajmi se mund ta intervistoja të nesërmen në mesditë. Pasi që unë qëllova në Kosovë, kjo gjë nuk ndodhi. Do të bëhej një herë tjetër, mendoja unë. Por, ai pas disa javësh u shpërngul në SHBA dhe pasi që atëherë nuk ekzistonte Skype apo ndonjë mënyrë tjetër e drejtpërdrejtë online, dëshira ime për intervistë, përfundoi. Por, fakti që duhet potencuar është se ai ruhej aq shumë nga shërbimi sekret britanik, sa që nuk kishte mundësi ta arrinte dora e keqe.

Në SHBA, me kalimin e kohës, Rushdie i shpeshtoi paraqitjet publike. Siç u pa, ai e kishte keq gjykuar situatën duke menduar se të çmendurit ishin rralluar. Për fat të keq bota është e mbushur plot me fanatikë të të gjitha religjioneve. John Lennon-in e vrau një fanatik i krishterë vetëm për shkak se Lenonn një herë kishte thënë:’Jam më i famshëm se Jezu Krishti’.

Për fat të keq, efekti i fetfasë së Homeinit duket se është përmbushur. Vepra në fjalë e kishte qëllimin që me kritikën satirike t’i zgjonte nga gjumi myslimanët e fjetur. Por, për fat të keq, krijoi kundërefekt. Duket se e ka ngjallur edhe më shumë jerminë e myslimanëve. Selman Rushdie është atesit, por ai nuk e ka mohuar trashëgiminë e tij kuturore myslimane. Madje, është bërë merak për të më shumë se disa myslimanë që e marrin veten për të devotshëm e që vazhdojnë të ecin symbyllur e jerëm.

Lajme të ngjashme