“Euronews”: Një raketë ruse e shkaktoi rrëzimin e aeroplanit në Kazakistan - NACIONALE

“Euronews”: Një raketë ruse e shkaktoi rrëzimin e aeroplanit në Kazakistan

1 vit më parë

nga NACIONALE

Burimet qeveritare të Azerbajxhanit i konfirmuan të enjten mediumit “Euronews” se një raketë ruse tokë – ajër e shkaktoi rrëzimin e aeroplanit të kompanisë “Azerbaijan Airlines” në Kazakistan të mërkurën.

Sipas burimeve, raketa u hodh gjatë aktivitetit ajror të dronëve mbi qytetin Grozny dhe mbetjet i goditën pasagjerët dhe ekuipazhin, pasi shpërthyen afër aeroplanit gjatë fluturimit.

Burimet qeveritare konfirmuan se aeroplani i dëmtuar nuk ishte lejuar që të aterronte në asnjë aeroport rus pavarësisht nga kërkesat e pilotëve për aterrim emergjent dhe se aeroplani u urdhërua që ta kapërcente Detin Kaspik drejt Aktaus në Kazakistan.

Sipas të dhënave, sistemet e navigimit GPS të aeroplanit u bllokuan gjatë fluturimit mbi Detin Kaspik.

Raketa u hodh nga një sistem i mbrojtjes ajrore i tipit “Pantsir-S”, raportoi medium ndërkombëtar me seli në Baku, “AnewZ”, duke cituar burime qeveritare azere.

Sipas burimeve ruse, në kohën kur aeroplani po kalonte mbi territorin e Çeçenisë, forcat ruse të mbrojtjes ajrore në mënyrë aktive po mundoheshin që të rrëzonin dronë ukrainas.

Lajme të ngjashme