Eskalon përplasja: Trumpi e akuzon Obamën për tradhti, reagon zyra e ish-presidentit - NACIONALE

Eskalon përplasja: Trumpi e akuzon Obamën për tradhti, reagon zyra e ish-presidentit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, e ka thyer heshtjen rreth thirrjeve të pasardhësit të tij në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump, që ai të ndiqet penalisht duke i mohuar në mënyrë të prerë akuzat se ishte përpjekur që të ndërtonte një “puç” pas fitores së Trumpit në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 përmes “prodhimit” të dëshmive për ndërhyrje nga Rusia.

Zyra e Obamës e bëri hapin e pazakonshëm të lëshimit të një përgënjeshtrimi, pasi Trumpi kishte thënë para gazetarëve se paraardhësi i tij ishte “[munduar që] të drejtonte një puç” kundër tij dhe ishte fajtor për “tradhti” për shkak të vlerësimeve të inteligjencës ku sugjerohej se Rusia kishte ndërhyrë për ta ndihmuar Trumpin që ta mposhtte rivalen Hillary Clinton në fushatë, raporton gazeta “The Guardian”.

“Për shkak të respektit për zyrën e presidencës, zyra jonë zakonisht nuk denjon që të dalë me reagim për marrëzinë e vazhdueshme dhe dezinformatat që po rrjedhin nga kjo Shtëpi e Bardhë, por këto pretendime janë mjaftueshëm mizore që të meritojnë një të tillë. Këto pretendime bizare janë qesharake dhe një përpjekje e dobët për shpërqendrim” – thuhet në deklaratën e zyrës së Obamës.

Në deklaratë më tutje kritikohen pretendimet e bëra në një dokument me 11 faqe të lëshuar javën e kaluar nga Tulsi Gabbard, drejtoreshë e Inteligjencës Kombëtare, e cila tha se po ofronte dëshmi për Departamentin e Drejtësisë të asaj që pretendoi se ishte një “komplot tradhtar” në mesin e zyrtarëve të Obamës për siguri kombëtare, duke e rekomanduar ndjekjen penale ndaj tyre.

“Asgjë në dokumentin e lëshuar javën e kaluar nuk e dobëson konkluzionin e pranuar gjerësisht se Rusia punoi për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, por nuk manipuloi me sukses asnjë votë” – thuhet më tej në reagimin e zyrës së Obamës.

“Këto të gjetura u pohuan në një raport të vitit 2020 nga një komision dypartiak i inteligjencës në Senat, i udhëhequr nga atëherë kryetari Marco Rubio” – thuhet në deklaratë.

Kundërpërgjigjja e ish-presidentit erdhi pas disa akuzave të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, kur ai po e priste në takim homologun nga Filipinet.

Kur u pyet nga një reporter se kush duhet të jetë caku kryesor i hetimit penal të rekomanduar në raportin e zonjës Gabbard, Trumpi tha: “Duke u mbështetur në atë që e kam lexuar, dhe unë lexoj goxha shumë nga ato që ju lexoni, do të ishte presidenti Obama. Ai e nisi këtë dhe Bideni ishte aty me të. Dhe [James] Comey [ish-drejtori i FBI-së] ishte aty, dhe [James] Clapper [ish-drejtori i Inteligjencës Kombëtare], i tërë grupi ishte aty.”

“Ishin ata, gjithashtu, por udhëheqësi i bandës ishte presidenti Obama, Barack Hussein Obama. A keni dëgjuar për të” – pyeti Trumpi.

“Kjo nuk është si evidencë. Kjo është si dëshmi, dëshmi e pakundërshtueshme që Obama ishte nxitës, që Obama… po mundohej të drejtonte një puç, dhe kjo ishte me Hillary Clintonin, me të gjithë këta njerëz të tjerë, por Obama e drejtoi atë. Ai është fajtor. Kjo ishte tradhti. Kjo ishte çfarëdo fjale që mund ta mendoni. Ata u munduan që t’i vidhnin zgjedhjet. Ata u munduan që t’i turbullonin zgjedhjet. Ata bënë gjëra të cilat askush madje asnjëherë nuk i kishte imagjinuar” – i vazhdoi akuzat presidenti amerikan.

Ai shtoi se zonja Gabbard i kishte thënë që kishte “mijëra dokumente shtesë në ardhje”./Nacionale

Lajme të ngjashme