Eskalon përplasja mes Macronit dhe kryeministrit polak, Morawiecki
Presidenti francez, Emmanuel Macron, e ka quajtur kryeministrin polak, Mateusz Morawiecki, “anti-semit i së djathtës ekstreme që i ndalon njerëzit LGBT”, pasi u kritikua për bisedimet me homologun rus, Vladimir Putin.
Kryeministri polak i krahasoi bisedimet e Macronit me Putinit si të flitej me udhëheqësin famëkeq nazist, Adolf Hitler.
Të premten, Polonia e thirri në takim ambasadorin francez për shkak të komenteve të Macronit, të cilat i dha për një gazetë franceze.
“Sa herë keni biseduar me Putinin dhe çfarë keni arritur”, tha të hënën kryeministri polak, duke iu referuar bisedave të shpeshta të Macronit me presidentin rus.
Nuk është e qartë pse Macroni e akuzoi kryeministrin polak për anti-semitizëm, ndonëse qeveria polake është përballur me kritika ndërkombëtare për ligjet që ua vështirësojnë hebrenjve kthimin e pronave të humbura gjatë Luftës së Dytë Btoërore.
Macroni tha gjithashtu se kryeministri polak dëshiron që ta ndihmojë rivalen e tij, Marine Le Pen, në zgjedhjet presidenciale të së dielës.
Një zëdhënës i qeverisë polake, Piotr Muller, e mohoi akuzën e Macronit për anti-semitizëm, duke thënë se ai ka shkuar shumë larg me zgjedhjen e fjalëve.