Eskalon përplasja: Katzi e akuzon komandantin e ushtrisë izraelite për bashkëpunim me anti-qeveritarët
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, ka thënë në një deklaratë se është duke i përcjellë për së afërmi vnendimet rreth stafit ushtarak, duke përshkallëzuar një përplasje me komandantin e Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Lejtënant Eyal Zamir.
“Pas ngjarjeve të 7 tetorit [2023], nuk është më një ushtri që nuk është nën mbikëqyrje” – tha ministri Katz në një “qartësim” të publikuar nga zyra e tij, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
Të hënën, Katzi u përplas me komandantin e ushtrisë për një takim që Zamiri e kishte zhvilluar rreth emërimeve të larta në ushtri, duke i kritikuar më pas emrat e propozuar për ngritje në detyrë.
“Në pajtim me ligjin, unë jam ai që vendos për miratimin e avancimeve nga rangu i kolonelit e më lart dhe komandanti i ushtrisë duhet të rekomandojë opsione të ndryshme” – thuhet në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes.
“Prandaj, një procedurë është vendosur për konsultim paraprak mes ministrit të Mbrojtjes dhe komandantit të Shtabit të Përgjithshëm, procedurë që duhet të kryhet në mënyrë të rregullt dhe në diskutime preliminare, siç është bërë që nga koha kur unë e mora postin e ministrit të Mbrojtjtes” – tha më tej Katzi.
“Përpjekja për t’i ndryshuar procedurat për të cilat ne kemi vendosur, ndoshta me rekomandimin e këshilltarëve anti-qeveritarë që e përziejnë tenxheren, dhe për t’i zëvendësuar ato me një përpjekje për të krijuar fakte në terren në takime ad hoc, nuk do të ketë sukses” – paralajmëroi ai.
Sidoqoftë, pavarësisht nga pretendimi i ministrit, duket se nuk ka ligj që e autorizon ministrin e Mbrojtjes që të jetë në krye të miratimit të avancimeve në pozita ushtarake, thekson gazeta “The Times of Israel”.
Megjithatë, ekziston një “urdhër i Shtabit të Përgjithshëm” nga viti 1992, i plotësuar në vitin 2020, në të cilin thuhet se për avancimet në pozitat e kolonelëve dhe më lart, komandanti i Shtabit të Përgjithshëm është “autoriteti që emëron”, ndërsa ministri i Mbrojtjes “autoriteti miratues”.
Transmetuesi publik izraelit raportoi të martën se komandanti Zamir kishte mbajtur konsultime me disa ish-oficerë të lartë ushtarakë, përfshirë ish-komandantin e Shtabit të Përgjithshëm, Gabi Ashkenazi, ish-drejtorin e Operacioneve, Israel Ziv, dhe ish-zëdhënësin e ushtrisë, Avi Benayahu. Të gjithë këto figura kanë pasur qëndrime kritike ndaj Qeverisë.
Ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gviri, i njohur për qëndrimet e tij të së djathtës ekstreme, tha se kryeminsitri Benjamin Netanyahu duhet ta zëvendësojë komandantin e ushtrisë, nëse ai nuk i shkarkon menjëherë këshilltarët e tij.
“Nëse [Zamiri] nuk njofton menjëherë se do ta zëvendësojë rrethin e tij të brendshëm politik të së majtës ekstreme, unë i bëj thirrje kryeministrit që menjëherë ta zëvendësojë atë me një kandidat që përpiqet për fitore, jo një që, me këshilltarët e tij, është duke punuar që ta minojë udhëheqjen politike” – tha Ben-Gviri./Nacionale