Erdogani thotë se Turqia është e gatshme për ta ndihmuar armëpushimin në Gaza - NACIONALE

Erdogani thotë se Turqia është e gatshme për ta ndihmuar armëpushimin në Gaza

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, tha të mërkurën se vendi i tij është i gatshëm për të ndihmuar në çfarëdo mënyre të mundshme për të arritur një armëpushim të qëndrueshëm në Gaza dhe shprehu kënaqësi për marrëveshjen e armëpushimit që tashmë ka hyrë në fuqi në Liban.

Turqia, që i ka kritikuar ashpër ofensivat e Izraelit në Gaza dhe Liban, në të kaluarën ka thënë se ka diskutuar për armëpushim të mundshëm në Gaza me Hamasin dhe i ka dhënë këtij grupi rekomandime për atë se si të vazhdojë tutje me bisedimet, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Të martën, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se vendi i tij përsëri do të bëjë shtytje për armëpushim në Gaza “me Turqinë, Egjiptin, Katarin, Izraelin dhe të tjerët”.

“Ne po deklarojmë që, si Turqi, jemi të gatshëm që të ofrojmë çfarëdo kontributi që masakra në Gaza të përfundojë dhe që të arrihet një armëpushim i qëndrueshëm” – tha Erdogani para deputetëve të partisë së tij.

Kur u pyet për komentet e Bidenit, një zyrtar turk i tha agjencisë “Reuters” se armëpushimi në Liban pa një të tillë në Gaza nuk është i mjaftueshëm për të arritur stabilitet rajonal, duke shtuar se Ankaraja është e gatshme për të ndihmuar rreth një marrëveshjeje në Gaza, siç i kishte përkrahur edhe përpjekjet në të kaluarën.

“Ne jemi përsëri të gatshëm për të ndihmuar në arritjen e një armëpushimi të përhershëm dhe një zgjidhje të qëndrueshme në Gaza” – shtoi zyrtari turk.

Përderisa Ankaraja në mënyrë të përsëritur ka shkëmbyer fyerje me Izraelin që nga shpërthimi i luftës në Gaza, Turqia nuk i ka ndërprerë zyrtarisht marrëdhëniet me këtë shtet. Ndryshe nga Izraeli dhe partnerët e tij perëndimorë, Turqia nuk e cilëson Hamasin organizatë terroriste dhe rregullisht strehon disa prej anëtarëve të lartë të grupit./Nacionale

Lajme të ngjashme