Erdogani thotë se lufta duhet të kryhet me bisedime, Zelensky këmbëngul në plan së pari
Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, duke qëndruar pranë homologut ukrainas që e vizitoi të premten, Volodymyr Zelensky, tha se vendi i tij është i gatshëm që të organizojë bisedime të paqes mes Moskës dhe Kievit dhe se Turqia “do të kontribuojë fuqishëm” në përpjekjet për ta rindërtuar Ukrainën pas luftës.
“Lufta mes Ukrainës dhe Rusisë duhet të përfundojë përmes bisedimeve. Ne jemi të gatshëm që të organizojmë një samit të paqes ku Rusia është gjithashtu e pranishme” – tha Erdogani në një konferencë për gazetarë në Stamboll të premten, raporton Radio "Evropa e Lirë".
“Përderisa ne e vazhdojmë solidarizimin tonë me Ukrainën, do ta vazhdojmë punën tonë për t’i dhënë fund luftës me një paqe të drejtë, mbi bazën e bisedimeve” – shtoi presidenti turk.
Zelensky, megjithatë, tha se Moska nuk do të ftohet në samitin e nivelit të lartë për paqe, për të cilin Zvicra ka bërë ofertë që ta organizojë këtë pranverë, edhe pse shtoi se një përfaqësues rus mund të ftohet në një takim pasues, pasi të jetë arritur pajtueshmëri për një plan drejt paqes mes aleatëve të Kievit.
“Ne nuk shohim se si mund të ftojmë njerëz që bllokojnë, shkatërrojnë dhe vrasin gjithçka. Ne duam që të marrim rezultate” – tha presidenti ukrainas.
Pavarësisht nga vdekjet dhe dëmet e pësuara gjatë luftës, një konferencë e paqes me pjesëmarrjen e të dyja palëve në të ardhmen e afërt mbetet me pak gjasa.
Përmes Formulës së Paqes, të propozuar nga Ukraina, bëhet thirrje për tërheqjen e të gjitha trupave ruse nga Ukraina, rikthimin e kufijve të vendit dhe mbajtjen e Rusisë përgjegjëse për veprimet e saj. Kremlini i ka refuzuar këto kushte.
Erdogani tha se i ka diskutuar edhe çështjet e sigurisë së lundrimit nëpër Detin e Zi dhe marrëveshjen për drithin, që tashmë është pezulluar, pa ndonjë shenjë nga Rusia se ajo dëshiron që ta ringjallë atë.
Turqia, anëtare e NATO-s, ka mbajtur marrëdhënie të mira edhe me Ukrainën, edhe me Rusinë, dhe bashkë me OKB-në ka ndërmjetësuar në një marrëveshje që i mundësoi Kievit transportim të sigurt të drithit nga portet ukrainase nëpër Detin e Zi.
Megjithatë, Rusia u tërhoq nga kjo marrëveshje në korrikun e vitit të kaluar, duke argumentuar se nuk po zbatoheshin të njëjtat kushte edhe për eksportet ruse të ushqimit dhe plehrave.