Erdogani paralajmëron operacion të ri në Siri: Do t’u shkojmë papritmas
Sipas gazetës turke Hurriyet dhe mediave të tjera të vendit, presidenti i Turqisë u ka thënë gazetarëve se Ankaraja mbetet e përkushtuar për të çrrënjosur milicinë kurde siriane nga Siria veriore.
“Siç them gjithmonë, një natë ne do t'u shkojmë papritmas. Dhe ne duhet ta bëjmë”, kështu është shprehur presidenti turk Recep Tayyip Erdogan pas vizitës së tij në Azerbajxhan.
Pa dhënë ndonjë afat specifik kohor, sipas Associated Press, Erdogan ka thënë se Turqia do të nisë një operacion ndërkufitar kundër Njësive Mbrojtëse të Popullit Kurdë sirian, ose YPG, të cilin e konsideron një grup terrorist të lidhur me një grup të jashtëligjshëm kurd që ka udhëhequr një kryengritje kundër Turqisë që nga viti 1984. Ky konflikt me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, PKK, deri më tani ka lënë të vrarë dhjetëra mijëra njerëz.
Megjithatë, YPG formon shtyllën kurrizore të forcave të udhëhequra nga ShBA-ja në luftën kundër grupit të Shtetit Islamik dhe kjo mbështetje amerikane për grupin ka zemëruar Ankaranë, duke u bërë një nga çështjet kryesore në marrëdhëniet e tyre.
Turqia i konsideron PKK-në dhe YPG-në si një grup të njejtë. YPG dhe partia politike e lidhur me të kanë kontrolluar pjesën më të madhe të Sirisë verilindore pasi forcat e presidentit sirian Bashar al-Assad u tërhoqën në vitin 2012.
“Të gjitha forcat e koalicionit, në krye me ShBA-në, u kanë ofruar këtyre grupeve terroriste një sasi të madhe armësh, automjetesh, mjetesh, municionesh dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë. ShBA u ka dhënë mijëra kamionë”, tha Erdogan, duke paralajmëruar se Turqia nuk do të kishte nevojë për lejen e askujt për të luftuar terrorin.
“Nëse ShBA-ja nuk po përmbush detyrën e saj në luftën kundër terrorit, çfarë do të bëjmë ne? Ne do të kujdesemi për veten”, tha ai.
Ndërsa pranoi shqetësimet e Turqisë për sigurinë, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të ShBA-së Ned Price ka shprehur shqetësime në lidhje me planet e Turqisë, duke thënë se një ofensivë e re mund të minojë stabilitetin rajonal dhe të vërë në rrezik forcat amerikane.
Që nga viti 2016 Ankaraja ka nisur katër operacione ndërkufitare në Siri dhe ka nën kontrollë disa territore në veri me qëllimin për të larguar YPG-në dhe për të krijuar një zonë të sigurt 30 kilometra të thellë ku Erdogan shpreson të kthejë "vullnetarisht" refugjatët sirianë.
Në vitin 2019, një inkursion në Sirinë verilindore kundër YPG-së tërhoqi një dënim të gjerë ndërkombëtar, duke bërë që Finlanda, Suedia dhe vende të tjera të kufizojnë shitjet e armëve në Turqi. E ndërsa tani, për shkak të këtij ndalimi dhe mbështetjes së supozuar të vendeve për grupet kurde Turqia po bllokon përpjekjen historike të dy vendeve nordike për t'u bashkuar me NATO-n.
Turqia po ashtu ka shtuar operacionet ushtarake kundër PKK-së në Irakun verior, ku grupi është i vendosur, PKK konsiderohet një grup terrorist nga Turqia, ShBA dhe Bashkimi Evropian.
“Ashtu siç po kryejmë operacione në Irakun verior kundër PKK-së dhe pasardhësve të PKK-së, e njëjta situatë vlen edhe më shumë për Sirinë dhe është shumë më e rëndësishme”, është shprehur Erdogan.