Erdogani paralajmëron në iftar kundër përhapjes së konfliktit të Ukrainës në NATO - NACIONALE

Erdogani paralajmëron në iftar kundër përhapjes së konfliktit të Ukrainës në NATO

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti turk, Rexhep Erdogan, tha të martën se secili hap që do ta përkeqësonte luftën në Ukrainë dhe që potencialisht do ta përhapte konfliktin në NATO duhet të shmanget, duke shtuar se ai do ta presë homologun rus, Vladimir Putin, pas zgjedhjeve në Rusi më vonë këtë muaj.

Duke folur në një iftar të organizuar me ambasadorët e huaj në Ankara, Erdogani tha se Turqia do të vazhdojë që të punojë për ringjalljen e marrëveshjes për transportimin e drithit nëpër Detin e Zi, për të cilën kishte ndërmjetësuar mes Moskës e Kievit me OKB-në, raporton agjencia “Reuters”.

“Përderisa e vëmë në veprim përkrahjen tonë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, ne tashmë kemi thënë se planet e paqes që e përjashtojnë Rusinë nuk do të sjellin ndonjë rezultat” – tha presidenti turk, duke iu referuar një samiti të planifikuar të paqes për Ukrainën në Zvicër më vonë këtë vit, në të cilin nuk do të marrë pjesë Rusia.

“Ne jemi duke punuar për ta rivendosur sigurinë e lundrimit në Detin e Zi dhe për të garantuar që tregtia e drithit mund të bëhet në mënyrë të sigurt. Ne besojmë se hapat që do t’i përkeqësonin konfliktet në rajon, që do të përhapeshin edhe në NATO, duhet të shmangen” – shtoi ai.

Muajin e kaluar, presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se aleatët perëndimorë nuk duhet ta përjashtojnë dislokimin e trupave në Ukrainë. Megjithatë, shumica e aleatëve dhe sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg, e kanë distancuar veten nga kjo ide.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e vizitoi Stambollin javën e kaluar dhe Erdogani paraqiti një ofertë për të organizuar një samit të paqes mes Ukrainës e Rusisë. Erdogani tha të martën se Putini do ta vizitojë Turqinë pas zgjedhjeve ruse në mars, pa dhënë hollësi.

Kremlini ka thënë më parë se vizita e Putinit në Turqi do të realizohet pas zgjedhjeve ruse, që mbahen më 15 deri më 17 mars. Edhe turqit do të votojnë këtë muaj, më 31 mars, por në zgjedhje komunale.

Turqia kishte organizuar bisedime të paqes mes Rusisë dhe Ukrainës më 2022, por që nga ajo kohë është ankuar se nuk janë bërë hapa diplomatikë për t’i çuar përpara këto diskutime. Ankaraja vazhdimisht ka bërë oferta për të organizuar bisedime të reja, duke thënë se nevojitet një samit i liderëve./Nacionale

Lajme të ngjashme