Erdogani kërkon që ShBA-ja t’i heqë sanksionet që i pengojnë blerjet e mbrojtjes - NACIONALE

Erdogani kërkon që ShBA-ja t’i heqë sanksionet që i pengojnë blerjet e mbrojtjes

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, ka bërë thirrje që të hiqen sanksionet e Shteteve të Bashkuara që po bllokojnë disa blerje në fushën e mbrojtjes nga vendi i tij dhe masat e tjera “të njëanshme” që e pengojnë aftësinë e aleatëve të NATO-s për të arritur caqe afatgjata në tregtinë dypalëshe.

Marrëdhëniet mes dy aleatëve kanë qenë të tensionuara për disa çështje viteve të fundit, nga dallimi në politikat rreth pjesës lindore të Mesdheut, te Siria, Gaza e blerja e sistemit raketor rus, S-400, nga Ankaraja, që i kishte nxitur sanksionet nga ShBA-ja dhe përjashtimin e Turqisë nga programi i aeroplanëve luftarakë F-35 më 2019, raporton agjencia “Reuters”.

Pas kësaj, Ankaraja punoi për të blerë 40 aeroplanë luftarakë të tipit F-16 dhe 79 sete për modernizim nga Uashingtoni. Marrëveshja u miratua pas dritës së gjelbër për hyrjen e Suedisë në NATO nga Turqia.

Turqia dhe Shtetet e Bashkuara kanë objektim afatgjatë për tregti dypalëshe në vlerën e 100 miliardë dollarëve, nga rreth 30 miliardë sa ishte më 2023.

Gjatë një vizite në Nju-Jork për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Erdogani iu tha biznesmenëve turq e amerikanë se ndonëse beson që objektivi mund të arrihet, bashkëpunimi në industrinë e mbrojtjes “ka mbetur shumë prapa” potencialit të tij për shkak të kufizimeve që mbeten në fuqi.

“Unë shpresoj se kemi hapur një faqe të re me projektin e modernizimit për [aeroplanët] F-16 dhe ne presim që kufizimet e eksportit në këtë fushë të hiqen në mënyrë të përhershme” – tha presidenti turk.

Ai gjithashtu tha se Turqia ofron avantazh për zinxhirët furnizues, duke e përmendur si shembull bashkëpunimin për prodhimin dhe blerjen e municionit 155-milimetërsh – predha të rëndësishme në luftën mes Ukrainës e Rusisë./Nacionale

Lajme të ngjashme