Erdogani do ta vizitojë ShBA-në në maj, për herë të parë në presidencën e Bidenit - NACIONALE

Erdogani do ta vizitojë ShBA-në në maj, për herë të parë në presidencën e Bidenit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, do t’i vizitojë Shtetet e Bashkuara më 9 maj, tha të premten një zyrtar turk i sigurisë. Kjo do të jetë vizita e tij e parë në Shtëpinë e Bardhë gjatë presidencës së homologut Joe Biden.

Vizita e Erdoganit në Uashington do të jetë e para për të që nga viti 2019, kur ishte takuar me presidentin e atëhershëm amerikan, Donald Trump, me të cilin gëzonte raporte të mira personale. Që nga zgjedhja e Bidenit president më 2020, Ankaraja është përpjekur që të sigurojë një takim tjetër sy më sy mes presidentëve, raporton agjencia “Reuters”.

Marrëdhëniet mes dy aleatëve të NATO-s, të tensionuara për kohë të gjatë për një varg çështjesh, janë përmirësuar që nga ratifikimi i anëtarësimit të Suedisë në aleancë nga Ankaraja në janar, pas një vonese 20-mujore që kishte shkaktuar zemërim në Uashington.

Prapëseprapë, tensioni në marrëdhënie mbetet për disa çështje, përfshirë pjesën veriore të Sirisë, ku forcat amerikane janë aleate të militantëve kurdë që Ankaraja i cilëson terroristë. Uashingtoni gjithashtu e ka shtyrë Ankaranë që të bëjë më shumë për t’i ndalur mallrat që kalojnë transit drejt Rusisë dhe të cilat ShBA-ja thotë se përdoren në përpjekjet e Rusisë në luftën kundër Ukrainës.

Zyrtari turk nuk ofroi ndonjë informatë të mëtejme për vizitën, por tha se zyrtari më i lartë i inteligjencës turke, Ibrahim Kalin, do të takohet me anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së për të biseduar rreth vizitës së planifikuar dhe për çështje të tjera dypalëshe.

Të enjten dhe të premten, ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, dhe ministri i Mbrojtjes, Yasar Guler, gjithashtu e takuan delegacionin amerikan.

Nuk pati koment të menjëhershëm nga Uashingtoni ose nga ambasada amerikane në Ankara për vizitën e Erdoganit në ShBA.

Analistët thonë se Bideni dhe Erdogani me gjasë do të diskutojnë edhe për luftën Izrael – Hamas – në kohën e kritikave të ashpra të presidentit turk ndaj veprimeve të Izraelit – dhe gjithashtu për bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes, përfshirë blerjen e miratuar rishtazi të aeroplanëve luftarakë amerikanë të tipit F-16 nga Turqia.

Lajme të ngjashme