Erdogan viziton Riadin në përpjekje të rregullimit të marrëdhënieve me Arabinë Saudite - NACIONALE

Erdogan viziton Riadin në përpjekje të rregullimit të marrëdhënieve me Arabinë Saudite

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Vizita do të jetë kulmi i përpjekjeve disamujore për të përmirësuar raportet dypalëshe, ndërsa Turqia kërkon t'i zvogëlojë problemet e saj ekonomike.

Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, pritet të mbërrijë në Arabinë Saudite dhe të takohet me sundimtarin de fakto të vendit, Princin e Kurorës, Muhamed Bin Selman (MBS), duke shënuar një kthesë në marrëdhëniet që kishin pësuar rënie pas vrasjes së një kritiku të shquar saudit në konsullatën e mbretërisë saudite në Stamboll më 2018, shkruan Al Jazeera.

Sipas zyrtarëve të lartë turq, përveç takimit me princin e kurorës MBS, Erdogan do të takohet të enjten edhe me mbretin Selman bin Abdulaziz.

Presidenca turke ka lëshuar një deklaratë ku thuhet se “të gjitha aspektet e marrëdhënieve mes Turqisë dhe Arabisë Saudite do të shqyrtohen, dhe hapat që synojnë rritjen e bashkëpunimit midis dy vendeve do të diskutohen në bisedimet që do të zhvillohen në kuadër të vizitës. .”

“Do të shkëmbehen pikëpamje mbi çështjet rajonale dhe ndërkombëtare”, thuhet tutje në deklaratë.

Takimi do të jetë kulmi i përpjekjeve disamujore të Ankarasë për të rregulluar marrëdhëniet, pasi Turqia po kërkon të lehtësojë problemet ekonomike në rritje.

Turqia këtë muaj vendosi të pezullojë gjyqin në mungesë të 26 sauditëve të akuzuar për vrasjen e kolumnistit të Washington Post, Xhemal Kashogi, nga agjentët sauditë në tokën turke. Vendimi i saj për ta transferuar rastin në Arabinë Saudite hoqi një pengesë kryesore për përmirësimin e raporteve dhe vizitën e Erdoganit në Riad.

Rasti u bë një kokëdhimbje e madhe për princin saudit të kurorës pasi një vlerësim i inteligjencës amerikane arriti në përfundimin se ai kishte të ngjarë të kishte urdhëruar operacionin. Princi ka mohuar çdo përfshirje, megjithëse ka thënë se ai pranon përgjegjësinë për vrasjen, si sundimtar de fakto i Arabisë Saudite.

Në nëntor 2018, presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan tha se vrasja ishte "e paramenduar" dhe se urdhri për ta vrarë Kashogin kishte ardhur nga "instancat më të larta" të qeverisë saudite.

Komentet e Ankarasë, të cilat erdhën në mes të një proteste të gjerë globale, nxitën një bojkot jozyrtar saudit të produkteve turke. Që atëherë, Ankaraja e ka zbutur shumë retorikën e saj ndaj Riadit dhe ka bërë përpjekje për normalizimin e raporteve dypalëshe midis dy fuqive rajonale.

Turqia dhe Arabia Saudite kanë punuar prej muajsh në përafrim, si pjesë e një riorganizimi më të gjerë për eliminimin e përçarjeve dhe largimin nga konfliktet në mes dy vendeve.

“Turqia dhe Arabia Saudite do të kërkojnë të zhvillojnë të gjitha aspektet e marrëdhënieve midis dy vendeve gjatë vizitës dhe do të shkëmbejnë pikëpamjet mbi çështjet rajonale dhe ndërkombëtare”, ka thënë zyra e Erdogan në një deklaratë.

Vizita është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të përmirësuar marrëdhëniet me vendet e Gjirit pas vitesh armiqësie të nxitura nga mbështetja e Erdoganit për grupet e lidhura me Vëllazërinë Myslimane gjatë kryengritjeve të Pranverës Arabe të vitit 2011. Erdogan po kërkon të forcojë tregtinë dhe të joshë investimet nga eksportuesit e naftës pasi stagnimi ekonomik i Turqisë po i kushton me mbështetje të elektoratit përpara zgjedhjeve që do të mbahen vitin e ardhshëm.

Eksportet për në Arabinë Saudite, dikur një treg kyç për Turqinë, ranë në fund të vitit 2020, ku eksportuesit turq thanë se ishte një bojkot jozyrtar. Eksportet turke ishin pak më shumë se 200 milionë dollarë në vitin 2021, nga rreth 3.2 miliardë dollarë në vitin 2019, siç thuhet në të dhënat zyrtare turke.

Qeveria në Ankara shpreson se pëafrimi do të ndihmojë në rivendosjen e tregtisë në nivelet e mëparshme dhe rritjen e investimeve saudite në Turqi.

Rregullimi i marrëdhënieve me Emiratet e Bashkuara Arabe vitin e kaluar ka zhbllokuar tashmë një biznes të mundshëm me vlerë miliarda dollarë.

Emiratet e Bashkuara Arabe nënshkruan një shkëmbim monetar prej 4.9 miliardë dollarësh me Turqinë në janar, duke i dhënë lirës turke mbështetjen shumë të nevojshme. Emiratet e Bashkuara Arabe kanë planifikuar një fond prej 10 miliardë dollarësh për të mbështetur investimet, pasi synon që të paktën të dyfishojë tregtinë dypalëshe.

Lajme të ngjashme