Era e rrëzon vinçin mbi qendër tregtare në Norvegji, një i vdekur e dy të plagosur
Një vinç i ndërtimtarisë u përplas në një qendër tregtare të premten në pjesën qendrore të Norvegjisë në mot me erë të fuqishme, duke lënë të vdekur një person e duke lënduar të paktën dy të tjerë, tha policia norvegjeze.
Me gjasë, rrëzimi i vinçit u shkaktua nga era. Viçi ishte të paktën 50 metra i lartë dhe u përplas në një qendër tregtare në Melhus, që shtrihet në jug të qytetit të tretë më të madh norvegjez, Trondheim, i tha gazetës “VG” zëdhënësi i policisë, Ebbe Kimo.
Rrëzimi i kranit shkaktoi edhe dëme materiale në katin e parë dhe në katin e dytë të qendrës tregtare dhe zjarrfikësit u futën në ndërtesë për të kërkuar njerëz, tha policia, duke shtuar se policët përdorën qen dhe një dron gjatë kërkimit të viktimave të mundshme.
Policia tha më vonë se një person, i cili ishte raportuar i zhdukur, është gjetur i vdekur, duke shtuar se nuk ka persona të tjerë të zhdukur.

Mediet norvegjeze raportuan se në qendrën tregtare “Melhustorget” nuk kishte shumë njerëz në kohën e rrëzimit të vinçit, që ndodhi në orën 9 e 17 minuta në paraditen e së premtes, raporton agjencia “Associated Press”.
Gazeta lokale, “Trønderbladet”, raportoi se kulmi brenda objektit është futur brenda. Vinçi ndodhej në një punishte ku po bëhej zgjerimi i qendrës me dyqane e banesa të reja. Objekti planifikohet të hapet në dy faza këtë vit.
Sipas Institutit Norvegjez të Meteorologjisë, moti të premten në këtë shtet ishte me erë të fuqishme.