Emisari i Trumpit për Ukrainën e shtyn vizitën në Kiev
Emisari i presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, e ka shtyrë udhëtimin e planifikuar për në Kiev dhe në kryeqytete të tjera evropiane deri pas inaugurimit të Trumpit më 20 janar, sipas katër burimeve me njohuri rreth planifikimit të vizitës.
Gjenerali i pensionuar, Keith Kellogg, i cili pritet të shërbejë si emisar i posaçëm për Ukrainën dhe Rusinë, fillimisht kishte planifikuar një vizitë në Kiev për t’u takuar me udhëheqës ukrainas në fillim të janarit, raportoi muajin e kaluar agjencia e lajmeve “Reuters”. Ekipi i tij gjithashtu po organizonte takime me zyrtarë në kryeqytete të tjera evropiane, përfshirë Parisin e Romën.
Megjithatë, kjo vizitë, që do ta shënonte herën e parë që zyrtarë të administratës amerikane në ardhje nisen drejt Kievit që nga zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit në ShBA, është ngrirë për momentin, thanë burimet në kushte anonimiteti.
Nuk ishte menjëherë e qartë se pse Kelloggu po e shtynte vizitën, raporton agjencia "Reuters".
Trumpi ka premtuar në mënyrë të përsëritur gjatë fushatës se do t’i japë fund luftës në Ukrainë brenda 24 orëve pas ardhjes në pushtet, por ai ka bërë pak përparim drejt realizimit të këtij qëllimi.
Prapëseprapë, përpjekjet për ta sjellë fundin e konfliktit mbeten njëri nga prioritetet kyçe të administratës së re amerikane.
As Kelloggu, as ndonjë përfaqësues i ambasadës ukrainase në Uashington nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment./Nacionale