Emisari i Trumpit i mbron bisedimet me Hamasin: ShBA-ja s’është agjente e Izraelit
Emisari i posaçëm amerikan për çështjet e pengjeve, Adam Boehler, të dielën i mbrojti bisedimet e tij të drejtpërdrejta me zyrtarë të Hamasit, duke iu kundërpërgjigjur kritikave private por intensive nga Izraeli, në një varg intervistash me media amerikane e izraelite.
Disa nga komentet e emisarit Boehler i zemëruan edhe më tej zyrtarët e lartë izraelitë, të cilët gazetës “The Times of Israel” i thanë se ishin të befasuar ta dëgjonin komentin e tij se Shtetet e Bashkuara “nuk janë agjente të Izraelit”.
Bisedimet e drejtpërdrejta ShBA – Izrael, të zhvilluara paralelisht me bisedimet e tërthorta të ndërmjetësuara nga Katari e Egjipti, të përqendruara në lirimin e pengjeve amerikane që po mbahen ende në Gaza, edhe pse emisari Boehler theksoi se qëllimi përfundimtar është lirimi i të gjitha pengjeve.
“Ne nuk ishim të përgatitur që vetëm të uleshim prapa për dy javë” – tha Boehler në televizionin izraelit “Channel 12”, duke refuzuar të saktësonte se kur kishin nisur takimet e tij me Hamasin ose sa takime kishte mbajtur me grupin palestinez, përcjell gazeta "Nacionale".
“Keni një mundësi reale për ca lëvizje dhe t’i shihni pengjet në shtëpi në disa javë të ardhshme” – shtoi ai.
Kur u pyet nga televizioni nëse ai “në mënyrë realiste” mendon se “Hamasi në fund do të pajtohej për t’i ulur armët dhe për të mos qenë pjesë e së ardhmes politike të Gazës”, emisari tha: “Unë e besoj këtë.”
Edhe pse takimet e tij ishin të përqendruara në pengun e vetëm amerikan ende të gjallë, Edan Alexander, bashkë me trupat e katër pengjeve të vdekura amerikane, Boehler theksoi se qëllimi i bisedimeve ishte që të arrihej te një marrëveshje më e gjerë për të gjitha pengjet.
“Ju s’keni pse të keni frikë se presidenti i Shteteve të bashkuara, ose unë, ose kushdo në administratën tonë do t’ju harrojë ju” – tha ai, duke iu adresuar publikut izraelit.
Duke folur me mediumin “Kan”, emisari amerikan e përshkroi atë që e quajti propozim të Hamasit me të cilin do të sigurohej armëpushim prej pesë deri në dhjetë vjet me Izraelin dhe, gjatë kësaj periudhe, grupi palestinez do të çarmatosej dhe do të hiqte dorë nga pushteti politik në Gaza./Nacionale