Emisari i Trump: Evropa nuk do të jetë pjesë e bisedimeve të paqes mes Ukrainës dhe Rusisë
Evropa do të konsultohet – por në fund do të përjashtohet – nga bisedimet e planifikuara të paqes mes Rusisë, ShBA-së dhe Ukrainës, ka zbuluar i dërguari i posaçëm i Donald Trump-it për Ukrainën.
I pyetur nëse Evropa do të jetë e pranishme në bisedimet e planifikuara, Keith Kellogg tha se ai vinte nga “shkolla e realizmit, dhe kjo nuk do të ndodhë”.
“Mund të jetë si gërvishtja e shkumësit mbi tabelën e zezë, mund të jetë e pakëndshme, por po ju them diçka që është vërtet e ndershme,” tha ai të shtunën, raporton The Guardian.
“Dhe për miqtë e mi evropianë, do të thosha: hyni në debat, jo duke u ankuar nëse do të jeni apo jo në tryezë, por duke dalë me propozime konkrete, ide, dhe duke rritur shpenzimet për mbrojtjen.”
Deklaratat e Kellogg ka të ngjarë të shkaktojnë shqetësim mes disa liderëve evropianë që nuk i besojnë Trump-it dhe besojnë se siguria e vendeve të tyre është e pandashme nga fati i Ukrainës. Ministri i Jashtëm polak, Radosław Sikorski, tha se presidenti francez, Emmanuel Macron, kishte ftuar liderët evropianë në Paris të dielën për të diskutuar situatën.
Kellogg tha se një nga arsyet pse bisedimet e mëparshme të paqes mes Ukrainës dhe Rusisë kishin dështuar ishte përfshirja e shumë vendeve që nuk kishin aftësi për të zbatuar një proces të tillë. “Ne nuk do të shkojmë në atë rrugë,” tha ai në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, më herët gjatë fjalimit të tij në konferencë, paralajmëroi se Evropa ka gjasa të përjashtohet nga negociatat. Ai u bëri thirrje vendeve evropiane të marrin masa dhe të krijojnë një ushtri evropiane, ku Ukraina do të luante një rol qendror.
Liderët evropianë, të tronditur nga fjalimi konfrontues i nënpresidentit amerikan, JD Vance, të premten, janë gjithnjë e më të shqetësuar për qasjen e Trump-it ndaj një marrëveshjeje paqeje për Ukrainën dhe kanë frikë se mund të arrihet një marrëveshje që do të ishte e favorshme për SHBA-në, por me pasoja afatgjata jo vetëm për sigurinë e Ukrainës, por edhe për Evropën.
Kryeministri polak, Donald Tusk, tha në rrjetet sociale: “Evropa ka urgjentisht nevojë për një plan veprimi në lidhje me Ukrainën dhe sigurinë tonë, përndryshe lojtarët e tjerë globalë do të vendosin për të ardhmen tonë. Jo domosdoshmërisht në përputhje me interesat tona… Ky plan duhet të përgatitet tani. Nuk ka kohë për të humbur.”