Emisari amerikan raporton për progres në bisedimet për armëpushim në Liban
Emisari i Shteteve të Bashkuara, Amos Hochstein, ka thënë në Bejrut të Libanit se do të udhëtojë për në Izrael në përpjekje për t’i përmbyllur bisedimet për armëpushim pas shënimit të “progresit shtesë” në takimin e dytë me kryetarin e Kuvendit të Libanit, Nabih Berri.
Ai tha se sheh një “mundësi reale” për t’i dhënë fund konfliktit, pasi Qeveria e Libanit dhe Hezbollahu u pajtuan me një propozim të ShBA-së për armëpushim, edhe pse me disa çështje të mbetura pa u zgjidhur, raporton gazeta “The Times of Israel”.
“Takimi sot ishte zgjatim i takimit të djeshëm dhe bëri progres shtesë, prandaj unë do të udhëtoj nga këtu brenda disa orëve për në Izrael në përpjekje për ta sjellë këtë sa më afër që mundemi” – tha Hochstein.
Sipas uebfaqes amerikane të lajmeve, “Axios”, Hochstein pritet të takohet të enjten me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.
Emisari amerikan tha më tutje se do të punojë me administratën amerikane në ardhje, të udhëhequr nga republikani Donald Trump, rreth përpjekjeve për armëpushim që t’u jepet fund luftimeve mes Hezbollahut dhe ushtrisë izraelite.
Në një zhvillim tjetër, një zyrtar i lartë amerikan tha se Shtetet e Bashkuara do të bllokojnë me veto një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për armëpushim në luftën e Izraelit në Gaza, nëse ajo hidhet në votim në formën e tanishme, pasi Uashingtoni nuk do të përkrahë një tekst me të cilin nuk bëhet thirrje për lirimin e pengjeve që po mbahen ende në enklavën palestineze.
Zyrtari amerikan, duke i njoftuar gazetarët para një votimi të mundshëm më vonë të enjten, tha se disa shtete anëtare të Këshillit të Sigurimit janë më të interesuara për të shkaktuar veto nga ShBA-ja sesa të bëjnë kompromis për rezolutën, duke i akuzuar Rusinë dhe Kinën për inkurajimin e shteteve të tjera anëtarë./Nacionale