Emisari amerikan pritet të martën në Liban për bisedime të paqes - NACIONALE

Emisari amerikan pritet të martën në Liban për bisedime të paqes

1 vit më parë

nga NACIONALE

Zyrtari amerikan që po i mbikëqyr kontaktet për sigurimin e një armëpushimi mes Izraelit dhe Hezbollahut në Liban pritet ta vizitojë Bejrutin të martën, thanë të hënën disa burime në Liban. Bejruti pritet ta japë përgjigjen e vet ndaj një propozimi amerikan për armëpushim.

Diplomacia për armëpushim, e udhëhequr nga ShBA-ja, është rikthyer në kohën kur Izraeli e ka ashpërsuar ofensivën. Sulmet izraelite në dy lagje të Bejrutit lanë të vrarë gjashtë njerëz të dielën, përfshirë të paktën një zyrtar të lartë të Hezbollahut. Kjo qe hera e parë në një muaj që Izraeli godet zona qëndrore të kryeqytetit libanez, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Propozimi i ri amerikan për armëpushim iu dorëzua javën e kaluar kryetarit të Kuvendit të Libanit, Nabih Berri, i cili është përkrahur nga Hezbollahu për të zhvilluar bisedime.

I dërguari i Shtëpisë së Bardhë, Amos Hochstein, pritet të arrijë të martën në Bejrut për bisedime për armëpushim, i tha agjencisë “Reuters” një burim politik libanez. Mediumi libanez, “Zëri i Libanit”, gjithashtu raportoi për këtë vizitë, duke e cituar deputetin Kassem Hashem.

Fuqitë botërore thonë se armëpushimi në Liban duhet të mbështetet në Rezolutën 1701 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me të cilën i ishte dhënë fund luftës së vitit 2006 mes Hezbollahut dhe Izraelit. Sipas kushteve të saj, Hezbollahut i kërkohet që t’i zhvendosë armët dhe luftëtarët në veri të Lumit Litani, rreth 20 kilometra në veri të kufirit.

Përpjekjet diplomatike janë ndërlikuar nga kërkesa e Izraelit për të pasur liri që të veprojë, nëse Hezbollahu do të shkelte ndonjë marrëveshje. Libani e ka kundërshtuar këtë kërkesë.

Izraeli e nisi ofensivën pas gati një viti me armiqësi në të dyja anët e kufirit me Hezbollahun. Qëllimi i shpallur i Izraelit është që të sigurohet rikthimi i dhjetëra mijëra izraelitëve që janë detyruar të evakuohen në pjesën veriore për shkak të zjarrit nga Hezbollahu, i cili ka hapur zjarr si solidarizim me aleatin e vet, Hamasin, pas fillimit të luftës në Gaza.

Ofensiva izraelite e ka shkaktuar zhvendosjen e më shumë se një milion njerëzve në Liban. Izraeli i ka dhënë Hezbollahut goditje të rënda, duke përdorur sulme ajrore për të goditur zona të gjera të Libanit dhe duke dërguar forca tokësore në jugun e shtetin fqinj./Nacionale

Lajme të ngjashme