Emiratet e Bashkuara në bisedime me ShBA-në e Izraelin për qeveri të përkohshme në Gaza
Emiratet e Bashkuara Arabe kanë diskutuar me Izraelin dhe me Shtetet e Bashkuara për pjesëmarrje në një administratë të përkohshme të Gazës pas luftës derisa Autoriteti Palestinez i reformuar të jetë në gjendje që ta marrë drejtimin e enklavës, sipas disa personave të afërt me këto bisedime.
Diskutimet në prapaskenë, për të cilat e para raportoi agjencia e lajmeve “Reuters”, e përfshinë mundësinë që Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Shtetet e Bashkuara, bashkë me vende të tjera, në mënyrë të përkohshme t’i mbikëqyrin qeverisjen, sigurinë dhe rindërtimin e Gazës, pasi ushtria izraelite të tërhiqet dhe një administratë palestineze të jetë në gjendje që ta marrë udhëheqjen, i thanë agjencisë “Reuters” dymbëdhjetë diplomatë të huaj e zyrtarë perëndimorë.
Emiratet e Bashkuara Arabe janë partnere të ngushta të sigurisë të ShBA-së dhe, ndryshe nga shumica e vendeve arabe, kanë lidhje diplomatike me Izraelin. Diplomatët dhe zyrtarët thanë se kjo do t’i ofronte shtetit të Gjirit Persik njëfarë leve mbi qeverinë e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.
Pas më shumë se një viti luftë, Izraeli mbetet ngurrues për ta përvijuar vizionin e tij për Gazën dhe komuniteti ndërkombëtar ka hasur në vështirësi për të hartuar një plan të zbatueshëm, thanë burimet, të cilat kërkuan anonimitet, sepse bisedat ishin private.
Diplomatët dhe zyrtarët theksuan se idetë që kanë dalë nga bisedimet me Emiratet e Bashkuara kanë mungesë hollësish dhe nuk kanë kaluar në nivel formal, në plan të shkruar ose nuk janë zbatuar nga ndonjë qeveri.
Në bisedimet në prapaskenë, Emiratet e Bashkuara po e mbrojnë idenë që Autoriteti Palestinez i reformuar t’i qeverisë Gazën, Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor nën një shtet të pavarur palestinez, thanë burimet, diçka që është kundërshtuar publikisht nga Izraeli.
“Emiratet e Bashkuara nuk do të marrin pjesë në asnjë plan që dështon t’i përfshijë reformën domethënëse të Autoritetit Palestinez, fuqizimin e tij dhe themelimin e një plani të besueshëm drejt një shteti palestinez” – i tha agjencisë “Reuters” një zyrtar i Emirateve të Bashkuara, si përgjigje ndaj pyetjeve rreth diskutimeve.
“Këto elemente – të cilat tani për tani po mungojnë – janë thelbësore për suksesin e çfarëdo plani për Gazën e pasluftës” – shtoi ai.
Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha agjencisë “Reuters” se ka pasur bisedime me disa partnerë, përfshirë Emiratet e Bashkuara, rreth opsioneve për qeverisje, siguri dhe rindërtim, dhe se disa draft-propozime, plane e ide janë paraqitur nga partnerët./Nacionale/Nasuf Abdyli