Emiratet e Bashkuara Arabe i pranojnë letrat kredenciale nga ambasadori i talibanëve
Emiratet e Bashkuara Arabe të mërkurën i pranuan letrat kredenciale nga ambasadori i talibanëve në shtetin e pasur të Gjirit Persik. Kjo është fitorja më e madhe diplomatike për udhëheqësit e Afganistanit, të cilët nuk njihen zyrtarisht nga qeveri legjitime e vendit.
Ky zhvillim, ambasadori i parë i talibanëve që nga emërimi i një tjetri në Kinë në dhjetor, e nënvizon përçarjen globale për atë se si të trajtohen tani udhëheqësit në Kabul, raporton agjencia “Associated Press”.
Ministria e Punëve të Jashtme në Kabul e konfirmoi lajmin për Badruddin Haqqanin përmes një shkrimi në rrjetin X. Kjo ministri nuk iu përgjigj kërkesave për informacione për Haqqanin, i cili më parë ka qenë i dërguar i talibanëve në Emirate të Bashkuara Arabe.
Haqqani nuk është i lidhur me ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Sirajuddin Haqqani, i cili në qershor u takua me udhëheqësin e Emirateve të Bashkuara, Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan, por ai është nga ekipi i tij.
Sirajuddin Haqqani është udhëheqës aktual i rrjetit të fuqishëm Haqqani, lëvizje militante, aleate me talibanët, e cilësuar si terroriste globale. Ai kërkohet nga Shtetet e Bashkuara për përfshirje në sulme vdekjeprurëse dhe gjithashtu është në listën e sanksioneve në disa raste.
Edhe pse talibanët mbeten të izoluar nga Perëndimi, ata kanë ndërtuar marrëdhënie dypalëshe me fuqi të rëndësishme rajonale. Javën e kaluar, kryeministri i Uzbekistanit, Abdulla Aripov, shkoi në Afganistan në vizitën e nivelit më të lartë nga një zyrtar i huaj që nga viti 2021, kur talibanët u rikthyen në pushtet në Afganistan.
Në një zhvillim tjetër të mërkurën, një ekspert i të drejtave të njeriut, i emëruar nga OKB-ja, e qortoi vendimin e talibanëve për t’ia ndaluar atij hyrjen në Afganistan. Raportuesi i posaçëm, Richard Bennet, shpesh e ka kritikuar trajtimin që ua bëjnë talibanët grave dhe vajzave.