Emigrantët mundohen të futen në Spanjë me forcë, 18 të vrarë - NACIONALE

Emigrantët mundohen të futen në Spanjë me forcë, 18 të vrarë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Tetëmbëdhjetë persona kanë vdekur pas një përpjekjeje masive nga një grup i madh emigrantësh afrikan për të kaluar nga Maroku në enklavën afrikane spanjolle, Melilla.

Rreth 2.000 emigrantë arritën në Melilla të premten në mëngjes dhe mbi 500 prej tyre arritën që të futeshin në zonën e kontrollit kufitar, pasi e prenë rrethojën me gërshërë, thanë autoritetet lokale.

Zyrtarët marokenë thanë të premten vonë se 13 emigrantë kanë vdekur nga lëndimet e pësuara, përpos pesë të tjerëve që u konfirmuan të vdekur më herët gjatë ditës.

“Disa ranë nga maja e rrethojës”, tha një zyrtar maroken, duke shtuar se 140 pjesëtarë të personelit të sigurisë dhe 76 emigrantë janë lënduar gjatë përleshjes.

Autoritetet marokene thanë se Maroku ka ndërguar numër të madh policësh në përpjekje për ta zmbrapsur sulmin në kufi dhe se ata kanë bashkëpunuar në mënyrë aktive me forcat spanjolle të sigurisë.

Duke folur në Bruksel, kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, e dënoi atë që e quajti “sulm të dhunshëm” dhe i fajësoi “mafitë që trafikojnë qenie njerëzore”.

Melilla dhe Ceuta janë enklava të vogla afrikane, që kufizohen me Marokun, dhe përbëjnë kufirin e vetëm tokësor të BE-së me Afrikën, gjë që i bën “magnet” për emigrantët./Nacionale

Lajme të ngjashme