Elon Musku përplaset në X me Gjermaninë për anijet që shpëtojnë emigrantë - NACIONALE

Elon Musku përplaset në X me Gjermaninë për anijet që shpëtojnë emigrantë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Qeveria gjermane i është kundërpërgjigjur një kritike të pronarit të rrjetit X, Elon Musk, i cili e kritikoi punën e anijeve për shpëtimin e emigrantëve që operohen nga grupe humanitare gjermane në Detin Mesdhe.

Musku të premten vonë shpërndau një video ku shiheshin emigrantë dhe punëtorë ndihmash në një barkë. Llogaria djathtiste, ku u publikua së pari përmbajtja në rrjetin X, e çmoi partinë gjermane të së djathtës ekstreme, AfD, e cila ka qëndrim të ashpër rreth çështjeve të emigrantëve.

“A është i vetëdijshëm publiku gjerman për këtë”- shkroi miliarderi amerikan në rrjetin X.

Zyra e Jashtme Federale e Gjermanisë iu kundërpërgjigj drejtpërdrejt në X, duke shkruar: “Po. Dhe quhet shpëtim i jetëve.”

Musku reagoi përsëri, duke thënë se dyshon që publiku gjerman i mbështet veprimet e organizatave joqeveritare që marrin azilkërkues nga barka të pasigurta në Mesdhe. Ai gjithashtu pretendoi se është “sigurisht” shkelje e sovranitetit të Italisë që anijet e operuara nga gjermanët të dërgojnë emigrantë të shpëtuar në territorin Italian.

Kjo përplasje vjen në kohën kur migrimi është kthyer në ballë të politikës në Gjermani dhe në vende të tjera evropiane. Zyrtarët qeveritarë dhe politikanët e opozitës po grinden për atë se si është më së miri që të trajtohet rritja e numrit të emigrantëve.

Qytete dhe komunitete në pjesë të ndryshme të Gjermanisë e kanë ngritur alarmin, duke thënë se po mbeten pa hapësira për t’i strehuar të ardhurit e për vende për fëmijët e tyre në çerdhe e shkolla.

Më shumë se 220 mijë persona kanë aplikuar për azil në Gjermani nga janari deri në gusht të këtij viti. Gjatë tërë vitit 2022, rreth 240 mijë njerëz kishin aplikuar për azil.

Lajme të ngjashme