Elon Musk ngre kundërpadi ndaj Twitter-it
Miliarderi amerikan, Elon Musk, ka ngritur kundërpadi ndaj rrjetit të famshëm social, “Twitter”, duke e eskaluar betejën ligjore kundër kësaj kompanie në përpjekje për t’u tërhequr nga marrëveshja 44-miliardëshe për blerjen e saj.
Padia e tij u paraqit të premten, disa orë pasi një gjykatë në Delaware dha urdhër për fillimin e gjykimit pesëditor më 17 tetor për të vlerësuar nëse Musk mund të tërhiqet nga marrëveshja.
Dokumenti me 164 faqe nuk ishte i qasshëm për publikun. Megjithatë, sipas rregullave të gjykatës, së shpejti mund të publikohet një version i redaktuar i padisë.
Kompania “Twitter” nuk u përgjigj menjëherë ndaj kërkesës për koment.
Gjithashtu të premten, Musk u padit nga një aksionar i “Twitter”-it, i cili kërkoi nga gjykata që ta urdhërojë miliarderin që ta përmbyllë marrëveshjen, të vlerësojë se ai e ka shkelur detyrimin e mirëbesimit ndaj aksionarëve dhe të ofrojë dëmshpërblim për humbjet e shkaktuara.
Në padi pretendohet se Musk ka detyrim mirëbesimi ndaj aksionarëve të kompanisë për shkak të 9.6 për qind të aksioneve që ai ka në kompani dhe për shkak se marrëveshja për blerje ia ofron atij të drejtën e vetos në shumë vendime. Padia u paraqit nga aksionari Luigi Crispo.
Personi më i pasur në botë dhe shefi ekzekutiv i prodhuesit të veturave elektrike, “Tesla”, tha më 8 korrik se do të tërhiqet nga marrëveshja për blerjen e rrjetit social dhe e akuzoi “Twitter”-in për shkelje të paktit përmes keqprezantimit të numrit të llogarive të rreme.
Kompania e paditi miliarderin disa ditë më vonë duke thënë se ai e ka për detyrim zbatimin e marrëveshjes. Vlera e aksioneve të kompanisë ka rënë dukshëm që nga fillimi i betejës ligjore./Nacionale
