Elise Stefanik emërohet nga Trumpi ambasadore e ShBA-së në OKB - NACIONALE

Elise Stefanik emërohet nga Trumpi ambasadore e ShBA-së në OKB

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kongresistja republikane nga Nju-Jorku, Elise Stefanik, e ka pranuar ofertën e presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, për të qenë ambasadore e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, pozitë që dikur mbahej nga kandidatja republikane për presidente, Nikki Haley.

Zonja Stefanik, dikur me qëndrime skeptike për Trumpin, por e shndërruar në aleate të tij, është kryetare e Konferencës Republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, duke e bërë republikanen me pozitën e katërt më të lartë, raporton gazeta “The Guardian”.

“Jam i nderuar që ta nominoj kryetaren Elise Stefanik për të shërbyer në Kabinetin tim si ambasadore e ShBA-së në Kombet e Bashkuara. Elise është tepër e fortë dhe luftëtare e zgjuar e [motos] Amerika së Pari” – tha Trumpi në një deklaratë.

Politikania 40-vjeçare ishte në mesin e anëtarëve të parë të Dhomës së Përfaqësuesve që e kishte përkrahur kandidaturën e Trumpit për president dhe i ka pasqyruar pretendimet e rreme të tij për humbjen e vitit 2020 dhe kryengritjen e 6 janarit të vitit 2021.

“Jam vërtet e nderuar që ta fitoj nominimin e presidentit Trump për të shërbyer në Kabinetin e tij si ambasadore e ShBA-së në Kombet e Bashkuara” – tha ajo në një deklaratë, duke e vërtetuar pranimin e ofertës së Trumpit.

“Gjatë bisedës sime me presidentin Trump, unë tregova se sa e përulur jam që ta pranoj nominimin e tij dhe që mezi pres ta fitoj mbështetjen e kolegëve të mi në Senatin e Shteteve të Bashkuara” – shtoi zonja Stefanik.

Lajme të ngjashme