Ekzekutohet me injeksion amerikani që kishte vrarë dy roja burgu në vitin 2000
Një burrë nga Missouri i Shteteve të Bashkuara është ekzekutuar me injeksion për vrasjen e dy rojave të burgut, edhe pse disa anëtarë të trupit gjykues kishin kërkuar dënim më të butë.
42-vjeçari Michael Tisius vdiq nga injeksioni vdekjeprurës në një burg shtetëror në Missouri të martën në mbrëmje sipas kohës lokale, raporton televizioni BBC.
Ai ishte dënuar me vdekje në vitin 2010 për vrasjen e dy rojave gjatë përpjekjes së dështuar për të nxjerrë nga burgu ish-shokun e dhomës. Tisiusi është personi i dymbëdhjetë që ekzekutohet këtë vit në ShBA.
Guvernatori republikan i Missourit, Mike Parson, refuzoi një kërkesë për zbutje të dënimit për Tisiusin. Një apel i momentit të fundit për pezullim të ekzekutimit në Gjykatën Supreme ishte i pasuksesshëm.
Sipas prokurorëve, i dënuari që në atë kohë ishte 19 vjeç, ishte paraqitur në burgun në distriktin Randolph në vitin 2000 me Tracie Bulington-in, e dashura e ish-shokut të tij të dhomës, Roy Vance.
Tisiusi kishte nxjerrë në armë dhe i kishte qëlluar rojat Jason Acton dhe Leon Egley, të cilët ishin të paarmatosur.
Megjithatë, ai dhe Bulingtoni nuk kishin mundur t’i gjenin çelësat e qelisë së Vances dhe kishin ikur. Ata ishin kapur të nesërmen, pasi vetura e tyre ishte prishur.
Bulingtoni dhe Vance ishin dënuar me burgim të përjetshëm. Avokatët e Tisiusit kishin argumentuar se ai duhej të kursehej nga dënimi me vdekje, sepse ishte vetëm 19 vjeç në kohën e krimit dhe vuante nga sëmundja mendore.
Gjashtë ish-anëtarë të trupit gjykues në mesin e dymbëdhjetëve që kishin votuar njëzëri për ta rekomanduar dënimin me vdekje kishin thënë në deklarata nën betim se tani e përkrahnin dënimin me burgim të përjetshëm në vend të dënimit me vdekje. Megjithatë, guvernatori Parson e refuzoi kërkesën për zbutje të dënimit, duke thënë se i dënuari është gjykuar me proces të drejtë.
Në deklaratën e tij të fundit, i dënuari shprehu “pendim të përjetshëm” për familjen e burrave që i kishte vrarë.
“Më vjen keq dhe jo pse jam në fund, por sepse vërtet më vjen keq”- kishte shkruar ai.
