Eksportuesja më e madhe e orizit e ndalon eksportin e një lloji, frikë për shtrenjtimin e tij - NACIONALE

Eksportuesja më e madhe e orizit e ndalon eksportin e një lloji, frikë për shtrenjtimin e tij

3 vjet më parë

nga NACIONALE

India të enjten mori vendim për ndërprerjen e eksportimit të kategorisë më të madhe të orizit, veprim që përafërsisht do t’i përgjysmojë dërgesat nga eksportuesja më e madhe e orizit në botë, duke nxitur frikë për inflacion të mëtejmë në tregjet globale të ushqimit.

Qeveria indiane tha se do të vendos ndalim të eksportimit të orizit të bardhë jo-basmati, pasi çmimet e shitjes me pakicë u rritën për 3 për qind brenda një muaji, pasi reshjet e vonshme por të dendura sezonale shkaktuan dëm të konsiderueshëm ndaj të mbjellave, raporton agjencia “Reuters”.

India përbën më shumë se 40 për qind të eksportit botëror të orizit dhe inventarët e ulët me eksportuesit e tjerë nënkuptojnë që çfarëdo pakësim i dërgesave do të mund t’i rriste çmimet e ushqimit, të cilat tashmë janë ngritur nga lufta në Ukrainë dhe moti i çrregullt.

“Për të siguruar disponueshmëri të duhur të orizit të bardhë jo-basmati në tregun indian dhe për ta zbutur rritjen e çmimeve në tregun e brendshëm, qeveria e Indisë e ka amendamentuar politikën e eksportit”- thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Ushqimit, ku përmendet një rritje prej 11,5 për qind e çmimeve me pakicë gjatë 12 muajve.

Kategoria e prekur nga ky vendim, orizi i bardhë jo-basmati dhe orizi i thyer, përbënin rreth 10 milionë tonë nga totali prej 22 milionë tonësh të orizit të eksportuar indian vitin e kaluar.

Qeveria shpjegoi të enjten vonë se orizi i valuar pjesërisht, që përbënte 7,4 milionë tonë nga eksporti i përgjithshëm më 2022, nuk përfshihet në vendim.

Administrata e kryeministrit Narendra Modi e ka zgjatur ndalimin e eksportimit të grurit, pasi i kishte kufizuar dërgesat e orizit në shtatorin e vitit 2022. Këtë vit e kufizoi edhe eksportimin e sheqerit, pasi rendimenti i kallamit kishte rënë.

Lajme të ngjashme