Ekspertët thonë se sulmet në stacionet e trenave në Ukrainë mund të jenë krime lufte - NACIONALE

Ekspertët thonë se sulmet në stacionet e trenave në Ukrainë mund të jenë krime lufte

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Sulmi i Rusisë në një stacion treni në Ukrainë, ku u vranë mbi 20 persona këtë javë, është i fundit në një varg sulmesh në sistemin hekurudhor. Disa njohës ndërkombëtar të ligjit thonë se këto sulme mund të jenë krime lufte.

Associated Press

Përderisa Rusia ka pretenduar se e ka vënë në shënjestër trenin për shkak se ai ishte duke bartur ushtarë ukrainas dhe pajisje të mërkurën, një reporter i agjencisë “Associated Press” në terren tha se nuk kishte shenja të dukshme që në mesin e viktimave kishte ushtarë. Në mesin e të vrarëve kishte fëmijë. Ekspertët thonë se ky sulm mund të cilësohet krim lufte, nëse në shënjestër ishin civilët.

“Stacioni i trenit është përgjithësisht objekt civil dhe nuk duhet të jetë cak i sulmit”, tha Jennifer Trahan, profesoreshë në Qendrën për Çështje Globale në Universitetin e Nju Jorkut.

Sulmi i së mërkurës në Chaplyne, fshat i vogël në juglindje të Ukrainës, ishte njëri nga më vdekjeprurësit në muajt e fundit gjatë sulmeve në sistemin hekurudhor. Gjatë më shumë se gjashtë muajve luftë, agjencia “Associated Press” dhe PBS-ja kanë vërtetuar në mënyrë të pavarur mbi 40 sulme ndaj infrastrukturës civile, që mund të cilësohen krime lufte.

Tri sulme ndodhën në infrastrukturën hekurudhore dhe shtatë të tjera në vendndalime të autobusit, duke vrarë mbi 100 civilë. Në këto sulme ka pasur pak dëshmi për t’i mbështetur pretendimet e Moskës se cak ishin ushtarët ukrainas.

Sulmi vdekjeprurës të mërkurën ndodhi përderisa ukrainasit po e festonin Ditën e Pavarësisë, ndonëse qenë në gjendje të lartë gatishmërie për shkak të rrezikut që Rusia ta shfrytëzonte këtë datë për sulme të reja.

Më shumë se 50 njerëz, përfshirë disa fëmijë, ishin rrugës për të ikur nga rajoni Donbas, kur u vranë nga një sulm rus në një stacion të trenit në Kramatorsk në prill. Fotografitë pas sulmit shfaqën trupa të pajetë e valixhe të mbetura pa pronarë përreth stacionit.

Mykola Lukashuk, drejtor i Këshillit Rajonal në Dnipropetrovsk, tha të premten në një konferencë për gazetarë se sulmi në Chaplyne shkaktoi zjarr në pesë vagonë të trenit. Një familje, përfshirë një vajzë 17-vjeçare, u vra, kur vetura e saj u godit gjatë udhëtimit nga Donetsku.

Gjatë një adresimi për Këshillin e Sigurimit të OKB-së të mërkurën, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha: “Nuk ka krim lufte që pushtuesit rusë nuk kanë kryer ende në territorin e Ukrainës.”/Nacionale

Lajme të ngjashme