Ekonomia izraelite në vështirësi, ekonomistët e duan fundin e luftës - NACIONALE

Ekonomia izraelite në vështirësi, ekonomistët e duan fundin e luftës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Në Qytetin e Vjetër të Jerusalemit, pothuajse të gjitha dyqanet e suvenireve janë të mbyllura. Në tregun e gjërave të imëta në Haifa, tregtarët e gjorë i pastrojnë dyqanet e tyre në rrugë boshe. Kompanitë ajrore po anulojnë fluturime, bizneset po dështojnë dhe hotelet luksoze janë gjysmë të zbrazura.

Gati 11 muaj pas fillimit të luftës me Hamasin, ekonomia izraelite po ballafaqohet me vështirësi, përderisa udhëheqësit e vendit po e vazhdojnë ofensivën ushtarake në Gaza, që nuk po shfaq shenja të fundit dhe që rrezikon të eskalojë në një konflikt më të gjerë, raporton agjencia “Associated Press”.

Kryeministri Benjamin Netanyahu është munduar që t’i lehtësojë shqetësimet duke thënë se dëmi ekonomik është vetëm i përkohshëm. Megjithatë, lufta më e përgjakshme dhe më shkatërruese ndonjëherë mes Izraelit dhe Hamasit ka dëmtuar mijëra biznese të vogla dhe e ka cenuar besimin ndërkombëtar ndaj një ekonomie që dikur mendohej si gjenerator i ndërmarrësisë. Disa ekonomistë të njohur thonë se armëpushimi është mënyra më e mirë për ta ndërprerë dëmin.

“Ekonomia tani për tani është nën paqartësi të madhe dhe kjo është e ndërlidhur me situatën e sigurisë – sa do të zgjasë lufta, cili do të jetë intensiteti dhe pyetja nëse do të ketë eskalim të mëtejmë” – tha zonja Karnit Flug, ish-guvernatore e Bankës Qendrore të Izraelit, tani nëndrejtoreshë e Institutit Izraelit për Demokraci.

Lufta ka shkaktuar barrë shumë më të rëndë ndaj ekonomisë tashmë të thyer të Gazës, duke e shkaktuar zhvendosjen e 90 për qind të popullsisë dhe duke e lënë pa punë shumicën e fuqisë punëtore. Të gjitha bankat në enklavën palestineze janë mbyllur. Sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë në Gazën e menaxhuar nga Hamasi, gjatë luftës janë vrarë mbi 40 mijë njerëz.

Luftimet në Gaza dhe sulmet e përditshme nga militantët e Hezbollahut në Liban e kanë shkaktuar largimin e dhjetëra mijëra njerëzve nga shtëpitë e tyre përgjatë kufijve veriorë e jugorë të Izraelit dhe kanë shkaktuar dëme të shkallës së lartë.

Ekonomia izraelite e ka marrë veten nga goditjet e mëparshme, përfshirë disa luftëra më të shkurtra me Hamasin. Sidoqoftë, ky konflikt më i gjatë ka krijuar tension më të madh, përfshirë koston e rindërtimit, kompensimin e familjeve të viktimave dhe të ushtarëve rezervë si dhe shpenzimet e mëdha ushtarake./Nacionale

Lajme të ngjashme