Ekonomia gjermane në ujëra të turbullta, Qeveria e ul dukshëm parashikimin për rritje - NACIONALE

Ekonomia gjermane në ujëra të turbullta, Qeveria e ul dukshëm parashikimin për rritje

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Qeveria gjermane pret që ekonomia e vendit të rritet vetëm për 0,2 për qind këtë vit, shumë më pak se parashikimi i mëparshëm prej 1,3 për qind, përderisa kërkesa e dobët globale, pasiguria gjeopolitike dhe inflacioni vazhdimisht i lartë po e shtypin shpresën për rimëkëmbje të shpejtë.

Parashikimi i rishikuar u miratua nga kabineti të mërkurën si pjesë e raportit vjetor ekonomik të Qeverisë, thanë burimet qeveritare. Ministri i Ekonomisë, Robert Habeck, pritet që të japë hollësi më vonë të mërkurën, raporton agjencia “Reuters”.

Ekonomia më e madhe e Evropës u tkurr për 0,3 për qind më 2023 dhe gjerësisht pritet që të hyjë në një tjetër recesion teknik në çerekun e parë të këtij viti.

“Ekonomia gjermane vazhdon që ta gjejë veten në ujëra të vështira në fillim të vitit” – thuhet në një draft të raportit që e ka parë agjencia “Reuters”.

Aty përmenden inflacioni i lartë dhe humbja pasuese e fuqisë blerëse në mesin e sfidave, si dhe krizat gjeopolitike e rritja e shkallës së interesit.

Këshilltarët ekonomikë të Gjermanisë planifikojnë që ta ndjekin drejtimin e Qeverisë federale dhe ta zvogëlojnë parashikimin e tyre për rritje ekonomike për vitin 2024, i tha agjencisë “Reuters” këshilltarja Ulrike Malmendier.

“Mendoj se përfundimisht do të shkojmë në drejtimin e njëjtë... kjo është ajo që po na tregojnë numrat tanë” – tha ajo.

Në parashikimin e këshillit të këshilltarëve qeveritarë në nëntor ishte parashikuar se rritja ekonomike për vitin 2024 do të ishte vetëm 0,7 për qind. Përditësimi i ardhshëm zyrtar pritet të bëhet në mesin e muajit maj.

Kjo pikëpamje e zymtë për Gjermaninë vjen në kohën e shqetësimeve për statusin e saj si qendër industrie, përderisa Qeveria mundohet që t’i bashkërendojë rregullat e ashpra fiskale të saj me nevojën për të tërhequr investime dhe për ta ndihmuar financimin e tranzicionit të kushtueshëm drejt energjisë së gjelbër.

Në draftin e raportit qeveritar përmendet “normalizimi” i politikës fiskale këtë vit, pasi një vendim i Gjykatës Kushtetuese e detyroi koalicionin që të bënte kufizime të dhimbshme në buxhetin e vitit 2024.

Qeveria pritet, gjithashtu, që të parashikojë një lehtësim të inflacionit të mërkurën, nga 5,9 për qind më 2023 në 2,8 për qind këtë vit.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme