Ekonomia e ShBA-së shfaq fuqi të vazhdueshme, bie inflacioni - NACIONALE

Ekonomia e ShBA-së shfaq fuqi të vazhdueshme, bie inflacioni

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një varg publikimesh të të dhënave ekonomike pozitive këtë javë lënë të kuptohet se ekonomia e Shteteve të Bashkuara është duke performuar jashtëzakonisht mirë, me rritje më të lartë se që është pritur, papunësi të ulët, rritje të pagave e rënie të inflacionit.

Të enjten u publikuan shifrat e prodhimit vendës bruto, që treguan se ekonomia ishte rritur në shkallë vjetore prej 3,1 për qind. Të premten, të dhënat e Departamentit të Tregtisë treguan se shkalla e rritjes së çmimeve të konsulmit tani është në pikën më të ulët në më shumë se dy vjet, raporton "Zëri i Amerikës".

Ka pasur dëshmi edhe që është duke u përmirësuar perceptimi i përgjithshëm i amerikanëve për ekonominë, e cila për një kohë të gjatë është përcjellë nga inflacioni që kishte nisur të shkaktonte ngritje çmimesh pas daljes së vendit nga pandemia e koronavirusit.

Lajmi pozitiv i ka çuar tregjet e aksioneve në ShBA në lartësi rekorde ditëve të fundit, por edhe hapi një dilemë për Rezervën Federale, bankë qendrore e ShBA-së. Ky institucion i kishte ngritur shpejt shkallët e interesit duke nisur nga marsi i vitit 2022 për ta mbajtur inflacionin nën kontroll, duke ditur se çmimi i këtij veprimi mund të jetë ngadalësimi i rritjes ekonomike ose recesioni.

Tani, Rezerva Federale duhet të vendosë nëse fuqia e vazhdueshme e ekonomisë e justifikon mbajtjen e shkallëve të interesit në nivelet e tyre të ngritura, pavarësisht nga shifrat më të ulëta të inflacionit, ose nëse duhet të rrezikojë që ta rinxisë inflacionin përmes uljes së tyre.

Departamenti i Tregtisë raportoi të martën se shkalla e rritjes së shpenzimeve personale të konsumit (PCE) – matëse kyçe e inflacionit – kishte qenë vetëm 0,2 për qind në dhjetor, ndërsa shkalla vjetore është rritur për 2,6 për qind.

Në një deklaratë të publikuar të premten nga Shtëpia e Bardhë, presidenti Joe Biden i çmoi shifrat e ulëta të inflacionit dhe theksoi se gjatë pjesës së dytë të vitit 2023, inflacioni është rritur në shkallë vjetore për vetëm 1,9 për qind, nën cakun afatgjatë të Rezervës Federale prej 2 për qind.

Megjithatë, jo të gjithë ekonomistët besojnë se ekonomia amerikane është domosdo aq e trëndafiltë.

“Ka arsye për kënaqësi – ia kemi dalë mirë, deri më tani – por nuk jam optimist për aspektin afatgjatë”- tha Desmond Lachman nga Instituti Amerikan i Ndërmarrësisë, organizatë konservatore në Uashington.

Sipas tij, ka shumë arsye për shqetësim në të ardhmen, përfshirë luftërat e nxehta në Ukrainë e Gaza, që po e kërcënojnë stabilitetin ekonomik global, dhe veprimet e rebelëve Houthi në Jemen kundër anijeve tregtare, që rrezikojnë t’i ngatërrojnë zinxhirët globalë të furnizimit.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme