Ekonomia e Kinës rritet me ritmin më të dobët në një vit - NACIONALE

Ekonomia e Kinës rritet me ritmin më të dobët në një vit

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Ekonomia e Kinës u rrit me ritmin më të dobët në një vit në çerekun e tretë të 2025-tës, duke u rritur për 4,8 për qind – e sfiduar nga tensionet tregtare me Shtetet e Bashkuara dhe kërkesa e brendshme e dobët.

Të dhënat për tremujorin e këtij viti e paraqesin shkallën më të ulët të rritjes që nga çereku i njëjtë i vitit të kaluar, thuhet në një raport qeveritar të publikuar të hënën, raporton agjencia e lajmeve "Associated Press".

Në periudhën janar – shtator, ekonomia e dytë më e madhe në botë u rrit për 5,2 për qind në aspekt vjetor. Pavarësisht taksave më të larta të presidentit amerikan, Donald Trump, ndaj importeve nga Kina, eksportet e saj kanë mbetur relativisht të fuqishme, pasi kompanitë i zgjeruan shitjet në tregje të tjera botërore.

Eksportet e Kinës në Shtetet e Bashkuara ranë për 27 për qind në shtator në krahasim me një vit më parë, edhe pse rritja në eksporte globale shënoi një rekord 6-mujor, duke shkuar në 8,3 për qind.

Eksporti i veturave elektrike u dyfishua në krahasim me një vit më parë, ndërsa shitja e veturave për pasagjerë brenda vendit u shtua për 11,2 për qind muajin e kaluar në krahasim me një vit më parë, dukshëm më pak se rritja prej 15 për qind në gusht, sipas të dhënave që u publikuan javën e kaluar.

Tensionet mes Pekinit dhe Uashingtonit mbeten të larta dhe është e paqartë nëse presidentët Trump e Xi Jinping do ta mbajnë takimin e propozuar gjatë një samite rajonal në fund të këtij muaji.

Banka Botërore pret që ekonomia e KInës të rritet për 4,8 për qind në raport vjetor këtë vit. Caku zyrtar qeveritar i rritjes është rreth 5 për qind.

Lajme të ngjashme