Ekonomia e Gjermanisë e shmang recesionin, rritet pak në çerekun e tretë
Ekonomia gjermane u rrit për 0,2 për qind në tremujorin e tretë të vitit, duke i dhënë fund frikës se ekonomia më e madhe e Evropës do të kthehej përsëri në recesion.
Parashikimet se ekonomia gjermane do të tkurrej për çerekun e dytë rresht dolën të pabaza, pasi prodhimi vendës bruto u rrit për 0,2 për qind në çerekun e tretë pas një tkurrjeje prej 0,3 për qind në çerekun paraprak, raporton gazeta “The Guardian”.
Ministri i Ekonomisë, Robert Habeck, tha: “Kjo është ende larg nga ajo që na nevojitet, por të paktën është një rreze shprese.”
Rritja në Gjermani e ngriti ekonominë më të gjerë të eurozonës, e cila u zgjerua për 0,4 për qind në çerekun e tretë, dyfish më shumë se shkalla prej 0,2 për qind që ishte parashikuar nga ekonomistët.
Ekonomistët thanë se shoku i inflacionit që erdhi pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës – duke nxitur rritje dramatike të çmimeve të energjisë dhe ushqimit, që e minuan besimin e biznesit dhe konsumatorëve në mbarë eurozonën, ka filluar që të lehtësohet.
Alexander Krueger, kryeekonomist në bankën private “Hauck Aufhaueser Lampe”, tha: “Nën peshën e shumë dobësive strukturore, ekonomia po dërgon një shenjë të jetës. Kjo është falë konsumatorëve, të cilët janë treguar pak më të shkujdesur.”
Kompania konsultuese, “Oxford Economics”, tha se të dhënat në dispozicion lënë të kuptohet se shumica e rritjes në mbarë eurozonën ka ardhur nga shpenzimet qeveritare dhe të amvisërive, ndërsa investimet vazhdojnë që të jenë të kufizuara nga shkallët e larta të interesit.
Ekonomia e Francës u rrit për 0,4 për qind, dyfish më shumë se ngritja prej 0,2 për qind në çerekun e dytë të vitit, falë një shtytjeje nga Lojërat Olimpike në verë, ndërsa Spanja u dallua si qendër evropiane e rritjes me 0,8 për qind, kryesisht për shkak të shtimit të turizmit./Nacionale