Egjipti thotë se s’do të pranojë ndryshime të sigurisë në kufirin me Gazën - NACIONALE

Egjipti thotë se s’do të pranojë ndryshime të sigurisë në kufirin me Gazën

1 vit më parë

nga NACIONALE

Egjipti nuk do të pranojë asnjë ndryshim të masave të sigurisë që kanë qenë në fuqi në kufirin e vet me Gazën para se të niste lufta mes Izraelit dhe Hamasit tetorin e kaluar, tha të mërkurën kryediplomati egjiptian, Badr Abdelatty.

Siguria në atë kufi dhe nëse Izraeli do të mbajë trupa përgjatë zonës neutrale 14-kilometërshe të njohur si Korridori Filadelfi, janë bërë pika kryesore të bisedimeve për armëpushim dhe lirim të pengjeve në Gaza, raporton agjencia “Reuters”.

Trupat izraelite hynë në zonën neutrale në maj, përderisa po zhvillonin një ofensivë përreth qytetit Rafah të Gazës.

Egjipti, që është ndërmjetës në bisedimet për armëpushim, thotë se Izraeli duhet të tërhiqet dhe se prania palestineze duhet të rikthehet në pikëkalimin kufitar në Rafah mes Gadishullit të Sinait në Egjipt dhe Gazës.

“Egjipti e përsërit pozicionin e vet, refuzon çfarëdo pranie ushtarake përgjatë anës së kundërt të pikëkalimit kufitar dhe korridorit të përmendur më herët [Filadelfi]” – tha para gazetarëve kryediplomati egjiptian në një konferencë të përbashkët me homologun amerikan, Antony Blinken.

Abdelatty gjithashtu tha se çfarëdo eskalimi, përfshirë shpërthimet që lanë të plagosur operativë të Hezbollahut në Liban të martën, do të krijonte pengesa për zbatimin e një pakti të armëpushimit në Gaza./Nacionale

Lajme të ngjashme