Edhe pse talibanët e kanë ndaluar, opiumi po shitet haptazi në Afganistan
Në prill të vitit të kaluar, talibanët i ndaluan kultivimin, prodhimin dhe trafikimin e të gjitha lëndëve të ndaluara narkotike. Megjithatë, tregjet e opiumit vazhdojnë që të operojnë si zakonisht në shumë zona të Afganistanit, përfshirë provincat jugore të Kandaharit dhe Helmandit, ku prodhohet shumica e opiumit në vend, sipas banorëve lokalë.
Syed Najibullah Ahmadi, ish-zyrtar afgan kundër lëndëve narkotike, tha se trafikuesit e drogës kishin grumbulluar sasi të madhe të “rezervave strategjike” të opiumit para se të merrej vendimi për ndalim dhe tani “po e shesin atë me çmim shumëfish më të lartë”.
Ekspertët kanë thënë se talibanët u kanë vendosur taksa prodhuesve të lëndëve narkotike dhe janë përfshirë në trafikimin e këtyre lëndëve për në vendet fqinje, e nga to droga përfundon në Evropë dhe Amerikë Veriore, raporton Radio “Evropa e Lirë”.
Talibanët kanë pohuar se e kanë zvogëluar në masë domethënëse prodhimin e opiumit, pretendim që është mbështetur nga disa ekspertë. Edhe pse prodhimi i opiumit duket se ka rënë, Afganistani është bërë furnizues i rëndësishëm i lëndëve të tjera narkotike, përfshirë metamfetaminën e kristalizuar.
Shitja e vazhdueshme dhe trafikimi i lëndëve narkotike ka ngritur pyetje për përkushtimin e talibanëve për çrrënjosjen e drogës në shtetin e varfër.
Heqja e statusit të Afganistanit si njëri nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të lëndëve narkotike ka qenë për një kohë të gjatë prioritet i komunitetit ndërkombëtar.
Në një deklaratë të publikuar më 31 korrik, Departamenti i Shtetit i ShBA-së tha se Uashingtoni kishte “regjistruar shqetësime serioze në lidhje me trafikimin dhe shitjen e vazhdueshme të opiateve të përpunuara dhe drogave sintetike” në bisedime me zyrtarë talibanë.
Talibanët kanë gjasa që të ballafaqohen me kundërshtime në rritje nga bujqit e bimëve nga të cilat nxirret opiumi, nëse dështojnë që t’u ofrojnë atyre mënyra alternative për sigurimin e të ardhurave.
“Rrisnim lulëkuqe dhe i përdornim ato të holla për t’i plotësuar nevojat tona. Nëse ju na i shkatërroni të mbjellat, atëherë duhet të na jepni miell, pleh ose të holla në mënyrë që të mund të vazhdojmë të jetojmë”- tha një bujk në provincën verilindore të Badakhshanit, që foli në kushte anonimiteti nga frika e hakmarrjes.
