Çfarë është xylazina – droga “zombie” që e ha mishin e njeriut? - NACIONALE

Çfarë është xylazina – droga “zombie” që e ha mishin e njeriut?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Dhjetëra përdorues droge u panë pa vetëdije në trotuaret e Filadelfias së ShBA-së në një pasdite të zymtë gushti. Disa të tjerë lëviznin me ngecje pranë veturave në lëvizje në tregun e hapur të drogës që ka rrënuar një lagje në “Qytetin e Dashurisë Vëllazërore”.

Paralajmërim: Artikulli i mëposhtëm përmban pamje të plagëve.

Rruga e Kensingtonit është bërë famëkeqe edhe jashtë Shteteve të Bashkuara për konsumimin e tepër publik të drogës. Kjo zonë është bërë pikë e nxehtë për përdorimin e xylazinës, që është gjetur në më shumë se 90 për qind të mostrave të drogës të testuara në Filadelfia më 2021, sipas të dhënave zyrtare.

Xylazina është qetësues që përdoret në kafshë, ndërsa njihet edhe si droga “zombie”, për shkak të efekteve që ka në aftësinë e përdoruesve për të lëvizur.

Në tregun e hapur të drogës në Kensington, përdoruesit ishin pa vetëdije në trotuare, të mbuluar me varrë nga xylazina, ndërsa gjaku u rridhte duarve nga injektimi i gjilpërave.

Një përdorues droge, Gene, i tha televizionit “Fox News” se porsa kishte dalë nga spitali, pasi pa e ditur kishte marrë xylazinë. Ai kishte fasha në këmbë që ia mbulonin plagët që e hanë mishin.

Këto plagë të rënda nga droga “zombie” mund të shkaktojnë infeksione serioze, përfshirë nekrozën, dhe nganjëherë mund të nevojitet amputimi i gjymtyrëve, sipas Administratës për Zbatim rreth Drogës.

Xylazina mund t’i çojë përdoruesit në ekstazë ose t’i lërë pa vetëdije për periudha të gjata kohore, sipas rrëfimeve të përdoruesve.

Duffy, një përdorues tjetër, kishte një plagë të thellë në dorë nga injektimi i xylazinës. Ai është rritur në Kensington dhe thotë se kurrë nuk ka parë efekte të drogave aq ekstreme sa efektet e xylazinës.

Maggie, përdoruese 30-vjeçare që jeton në rrugët e Kensingtonit, më parë i kishte thënë televizionit “Fox” se jeta ishte shumë më e mirë për përdoruesit, kur zona ishte përfshirë nga “heroina e rregullt”. Shumë prej miqve të saj kanë vdekur nga mbidoza, pasi drogat janë bërë më vdekjeprurëse viteve të fundit, tha ajo.

Para përhapjes së xylazinës, lagjja ishte duke u ballafaquar me efektet e një epidemie të vazhdueshme të fentanilit. Para tij, komuniteti ishte prekur nga përdorimi i heroinës.

Më shumë se 200 mijë amerikanë kanë rënë në mbidozë dhe kanë vdekur nga opioidet sintetike si fentanili nga viti 2020, sipas Qendrave për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Sipas të dhënave shtetërore në Pensilvani, një përdorues droge vdiq nga overdoza për rreth çdo dy orë më 2022. Gati 80 për qind e këtyre rasteve e përfshinin drogën fentanil.

Lajme të ngjashme