Edhe Portugalia po e shqyrton njohjen e një shteti palestinez në shtator - NACIONALE

Edhe Portugalia po e shqyrton njohjen e një shteti palestinez në shtator

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Qeveria e Portugalisë do të konsultohet me presidentin dhe Kuvendin për çështjen e njohjes së Shtetit të Palestinës në OKB në shtator, ka thënë zyra e kryeministrit portugez, Luis Montenegro.

Portugalia “është duke e shqyrtuar njohjen e shtetit palestinez, si pjesë e një procedure që do të mund të përmbyllej gjatë javës së nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, që do të mbahet në Nju-Jork në shtator”, thuhet në deklaratë, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Para disa ditëve, presidenti francez tha se vendi i tij do ta njohë Palestinën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator. Më pas, të njëjtin veprim e paralajmëroi edhe kryeministri britanik, nëse Izraeli nuk plotëson disa kushte.

Aleatja e Britanisë, Kanadaja, njoftoi gjithashtu të mërkurën se do të njohë një shtet të pavarur palestinez. Një ministër australian tha se njohja e Palestinës edhe nga vendi i tij nuk është çështje “nëse, por kur”.

Malta, shtet i vogël ishullor, anëtar i Bashkimit Evropian, gjithashtu ka thënë se do ta njohë shtetin e Palestinës në shtator.

Presidenti amerikan, Donald Trump, është shprehur i befasuar me vendimin e Kanadasë për njohjen e shtetit palestinez, duke paralajmëruar se ky veprim do ta bëjë të vështirë arritjen e marrëveshjes tregtare mes vendit të tij dhe fqinjit verior./Nacionale

Lajme të ngjashme