Edhe katër fëmijë vdiqën nga uria në Gaza, thonë zyrtarët shëndetësorë
Një foshnjë 6-javëshe dhe tre fëmijë të tjerë kanë vdekur nga uria në Gaza gjatë 24 orëve të fundit, thanë zyrtarët shëndetësorë lokalë, kur kequshqyerja dhe uria tani po vrasin palestinezë më shpejt se në cilëndo pikë tjetër kohore të luftës 21-mujore.
Foshnja vdiq në një repart spitalor në pjesën veriore të Gazës, thanë zyrtarët shëndetësorë, duke e identifikuar atë si Yousef al-Safadi. Adoleshenti, 13-vjeçari Abdulhamid al-Ghalban, vdiq në një spital në qytetin jugor të Gazës, Khan Younis. Dy fëmijët e tjerë nuk u identifikuan, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Zyrtarët shëndetësorë palestinezë thonë se të paktën 101 njerëz kanë vdekur nga uria gjatë konfliktit, përfshirë 80 fëmijë, shumica prej tyre në javët e fundit. Për 24 orët e kaluara janë raportuar 15 raste të tilla fatale.
Izraeli e kontrollon tërë hyrjen e dërgesave me ndihma në enklavën e rrënuar nga lufta, ku shumica e popullsisë është zhvendosur disa herë dhe ballafaqohet me mungesë akute të produkteve elementare.
Drejtori i agjencisë së OKB-së për refugjatë palestinezë tha të martën se stafi i saj, mjekë e punëtorë humanitarë po pësonin të fikët gjatë detyrës në Gaza për shkak të urisë dhe dërrmimit.
“Askush nuk po kursehet: ata që ofrojnë kujdes në Gaza gjithashtu kanë nevojë për kujdes. Mjekë, infermierë, gazetarë dhe humanitarë janë të uritur” – tha në një deklaratë komisionari i përgjithshëm i UNRWA-së, Philippe Lazzarini.
Ushtria izraelite tha se “e sheh transferimin e ndihmave humanitare në Gaza si çështje të rëndësisë më të lartë” dhe punon për ta lehtësuar hyrjen e tyre në bashkërendim me komunitetin ndërkombëtar.
Ushtria i dënoi akuzat se po e parandalonte hyrjen e ndihmave në Gaza dhe e ka akuzuar Hamasin për vjedhje të ushqimit, akuzë që grupi e ka mohuar./Nacionale