E tmerrshme: Emigrantët afganë po rrëmbehen dhe po torturohen në kufirin Iran – Turqi - NACIONALE

E tmerrshme: Emigrantët afganë po rrëmbehen dhe po torturohen në kufirin Iran – Turqi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Afganët që po ikin nga talibanët po rrëmbehen dhe po torturohen nga bandat gjatë përpjekjes për ta kaluar kufirin mes Iranit dhe Turqisë rrugës drejt Evropës, sipas një hulumtimi të televizionit BBC.

Bandat u dërgojnë video të keqtrajtimit familjeve të emigrantëve që i mbajnë peng, duke u kërkuar para për lirimin e tyre.

Të lidhur së bashku në një majë mali me zinxhir e dryna përreth qafës, një grup i emigrantëve afganë bëjnë lutje që të lirohen, raporton televizioni BBC.

“Kushdo që e shikon këtë video, unë u rrëmbeva dje, ata po kërkojnë nga 4 mijë dollarë për secilin nga ne. Na rrahin ditë e natë pa ndërprerje”- thotë një burrë me buzë të gjakosur e fytyrë të mbuluar me pluhur.

Në një video tjetër, një grup burrash shihen tërësisht të zhveshur duke u zvarritur nëpër borë, ndërsa dikush i frushkullon nga prapa.

“Unë kam familje, mos ma bëni këtë. Kam grua dhe fëmijë, kini mëshirë, ju lutem”- bërtet një burrë në një video tjetër, pak para se të abuzohet seksualisht nën kërcënimin e thikës.

Këto video shqetësuese janë dëshmi e rritjes së ndërmarrjeve kriminale, në të cilat bandat në Iran rrëmbejnë kryesisht emigrantë afganë që mundohen të arrijnë në Evropë.

Rruga e emigrimit nga Afganistani në Iran, pastaj nëpër Turqi e drejt Evropës, është përdorur me dekada. Në të vërtetë, këtë rrugë e kishte shfrytëzuar edhe vetë autori i këtij artikulli para 12 vjetëve, kur ishte larguar nga Irani dhe ishte vendosur në Mbretërinë e Bashkuar, ku e kishte fituar të drejtën e azilit. Megjithatë, ai thotë se kjo rrugë tani është më e rrezikshme se kurrë më parë.

Ata që mundohen të largohen nga Irani për të arritur në Turqi ecin në këmbë me orë nëpër terren të thatë malor, ku nuk ka as drurë për të ofruar hije, duke e bërë më të vështirë shmangien e forcave të sigurisë që e patrullojnë zonën.

Përderisa qindra mijëra njerëz janë larguar nga Afganistani që nga ardhja e talibanëve në pushtet në gushtin e vitit 2021, bandat e kanë parë mundësinë e përfitimit nga rritja e madhe e numrit të njerëzve që e marrin këtë rrugë.

Shpesh në bashkëpunim me trafikuesit, banditët po rrëmbejnë njerëz në anën iraniane të kufirit, duke zhvatur para nga grupe të ndjeshme, të cilat tashmë kanë paguar shuma të mëdha për ta siguruar kalimin e sigurt.

Ekipi i BBC-së ka dëgjuar rrëfime për tortura nga të paktën dhjetë vende përgjatë kufirit. Një aktivist që e ka dokumentuar këtë abuzim gjatë tri viteve të kaluara ka treguar se pranonte dy ose tri vide të torturave në ditë në kulmin e punës së tij.

Lajme të ngjashme