“E rrezikshme”: Hamasi e kundërshton rezolutën e ShBA-së për forcën e stabilizimit në Gaza
Grupet e udhëhequra nga Hamasi në Gaza të hënën refuzuan dhe quajtën “të rrezikshme” një draft-rezolutë të paraqitur nga Shtetet e Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, me të cilën do të themelohej një forcë stabilizimi që do ta mbikëqyrte çarmatosjen e grupit.
Në deklaratën e bërë nga Hamasi në emër të këtij grupi dhe grupeve të tjera në Gaza thuhet se fraksionet palestineze kundërshtojnë çfarëdo neni që lidhet me çarmatosjen e Gazës ose dëmtimin e “të drejtës së popullit palestinez për rezistencë”, duke e fajësuar atë që e cilësuan si “një përpjekje për ta bërë Rripin e Gazës subjekt të autoritetit ndërkombëtar”.
Më tej, në deklaratë gjithashtu kundërshtohet çfarëdo pranie e huaj ushtarake brenda Rripit të Gazës, duke thënë se një gjë e tillë do të përbënte shkelje të sovranitetit palestinez, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
“Çfarëdo force ndërkombëtare duhet t’i nënshtrohet drejtpërdrejt OKB-së dhe duhet të punojë në bashkërendim me institucionet zyrtare palestineze, pa pjesëmarrjen e pushtimit [Izraelit]” – thuhet aty.
OKB-ja do të votojë më vonë të hënën për rezolutën që e mbështet planin gjithëpërfshirës të presidentit amerikan, Donald Trump, për armëpushim. Në draft përfshihet themelimi i Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit dhe një administratë palestineze apolitike që do të mbikëqyrej nga Bordi i Paqes, i udhëhequr nga vetë Trumpi.
Sipas fazës së ardhshme të planit, Izraeli duhet të tërhiqet më tej nga ajo që njihet si Vija e Verdhë, duhet të themelohet një autoritet kalimtar për qeverisjen e Gazës, duhet të dislokohet forcat shumëkombëshe e sigurisë me qëllim të marrjes së kontrollit nga ushtria izraelite, Hamasi duhet të çarmatoset dhe duhet të nisë rindërtimi i enklavës.
Hamasi deri më tani ka refuzuar që të pajtohet për çështjen e çarmatosjes. Izraeli këmbëngul që enklava duhet të çarmatoset para se plani i Trumpit të mund të çohet tutje./Nacionale