E nominuara e Trumpit për në OKB i mbështet “të drejtat biblike” të Izraelit në Bregun Perëndimor
E nominuara e presidentit Donald Trump për ambasadore të ShBA-së në Kombet e Bashkuara, Elise Stefanik, e ka mbështetur pretendimin izraelit për “të drejta biblike” në tërë Bregun Perëndimor gjatë një seance dëgjimore në Senat për konfirmimin e saj në postin për të cilin është nominuar, duke e rreshtuar veten me pozicione që do të mund t’i ndërlikonin përpjekjet diplomatike në Lindjen e Mesme.
Kongresistja nga Nju-Jorku, anëtare e Partisë Republikane, të martën u ballafaqua me pyetje për mbështetjen e një pozicioni që e rreshton atë me të djathtën ekstreme izraelite, përfshirë ministrin e Financave të Izraelit, Bezalel Smotrich, dhe ish-ministrin e Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, raporton gazeta “The Guardian”.
Senatori demokrat nga Maryland-i, Chris Van Hollen, Stefanikun e pyeti: “Ju më thanë se po, e ndani atë pikëpamje. A është ajo pikëpamja juaj sot?”
“Po” – u përgjigj shkurt e nominuara e Trumpit për ambasadore të Shteteve të Bashkuara në OKB.
A flashpoint in the Middle East is the West Bank, where US Republican Elise Stefanik aligns with far-right Israeli officials, asserting Israel's "biblical right" to the entire territory. She made this statement during her confirmation hearing for U.S. ambassador to the UN. pic.twitter.com/axMYr5tTjb
— CGTN Global Watch (@GlobalWatchCGTN) January 22, 2025
Seanca dëgjimore për konfirmimin e Stefanikut në pozitën e ambasadores u vuri në pah përçarjet mes ShBA-së dhe OKB-së rreth politikave ndaj Izraelit.
Përderisa ky qëndrim e vë Stefanikun në kundërshtim me konsensusin e vjetër ndërkombëtar dhe me disa rezoluta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së rreth vendbanimeve izraelite në territoret e pushtuara, ai mbetet dukshëm në vijë me pozicionin e përhapur gjerësisht të administratës së Trumpit.