E fajësoi se po e pengon ndaljen e luftës, Zelensky i kundërpërgjigjet Trumpit - NACIONALE

E fajësoi se po e pengon ndaljen e luftës, Zelensky i kundërpërgjigjet Trumpit

3 javë më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha të enjten se vendi i tij nuk është pengesë për paqen duke iu kundërvënë komenteve të bëra një ditë më herët nga homologu amerikan, Donald Trump.

“Ne gjithashtu folëm për punën diplomatike me Amerikën – Ukraina kurrë nuk ka qenë dhe kurrë nuk do të jetë pengesë për paqen” - tha Zelensky në video-adresimin tradicional të mbrëmjes, duke iu referuar një bisede telefonike me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

I intervistuar nga kjo agjenci të mërkurën, Trumpi tha se beson që Ukraina është më pak e gatshme se Rusia për të bërë marrëveshje. Kur u pyet se pse bisedimet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara nuk e kanë zgjidhur ende luftën që nisi para gati katër vjetëve, presidenti amerikan u përgjigj: “Zelensky.”

Në komentet e tij, presidenti ukrainas tha se sulmet e vazhdueshme të Rusisë ndaj qendrave energjetike të Ukrainës dhe caqeve të tjera dëshmojnë se Moska nuk e dëshiron paqen.

“Janë saktësisht raketat ruse “Shahedët” [dronët] rusë dhe përpjekja e Rusisë për ta shkatërruar Ukrainën që janë dëshmi e qartë se Rusia nuk është fare e interesuar për marrëveshje” – tha Zelensky.

Në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Rusia pajtohet me Trumpin se Zelensky po e mban pezull arritjen e një marrëveshjeje, duke shtuar se presidenti rus, Vladimir Putin, dhe pala ruse mbeten të hapura për bisedime.

Zelensky u zotua se Ukraina do t’i ndjekë përpjekjet diplomatike në mënyrë më aktive.

Trumpi i tha agjencisë “Reuters” të mërkurën se beson që Putini është “i gatshëm për të bërë marrëveshje. Unë mendoj se Ukraina është më pak e gatshme pë të bërë marrëveshje.”/Nacionale

Lajme të ngjashme