“E dua vendin tim, por s’mund të vras dhe s’dua të vdes” - NACIONALE

“E dua vendin tim, por s’mund të vras dhe s’dua të vdes”

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Antoni* ishte rrugës për në punë si vullnetar civil në qytetin ukrainas të Kharkivit para dhjetë ditëve. Disa burra e ndalën. E pyetën: “Ç’kemi, si je?” dhe “A mund të m’i tregoni dokumentet, ju lutem?” Njëri nga oficerët nxori një tablet dhe kontrolloi një listë. E gjeti emrin e Antonit. Një fjalë e vetme ishte shkruar pranë emrit të tij, me shkronja të mëdha e të kuqe: ukhyliant – shmangës i rekrutimit. Atëherë, burrat e morën dhe e dërguan në zyrën më të afërt të rekrutimit.

Atë mëngjes, Antoni dhe kolegu i tij, Serhii, pritej të dërgonin një kamion plot me ndihma humanitare në një zonë të vijës së frontit. Dy burrat – 32 e 31 vjeç – ishin kontrolluar dy herë më parë, një herë afër një stacioni të metros dhe një herë kur po e prisnin tramvajin. Atyre iu dhanë disa letra. Në të parën ishte një kërkesë e sjellshme për t’i regjistruar hollësitë. Në të dytën ishte thirrja zyrtare për të raportuar në një qendër rekrutimi sa më shpejt që të ishte e mundshme, raporton gazeta “The Guardian”.

Më shumë se dy vjet pas fillimit të pushtimit të plotë rus, forcat e armatosura ukrainase kanë mungesë të ushtarëve. Trupat ruse në shkurt e morën nën kontroll qytetin Avdivka dhe në javët e fundit kanë qenë duke përparuar më tej në lindje të vendit, duke e rrethuar qytezën Chasiv Yar. Komandantët ukrainas pranojnë se Moska ka më shumë trupa, por thonë se faktor vendimtar është artileria e saj superiore, si dhe aeroplanët luftarakë, që përdoren për t’i goditur sistemet e mbrojtjes.

Sidoqoftë, ushtria po mundohet që të gjejë njerëz të rinj për t’i zëvendësuar të vrarët ose të lënduarit dhe për t’ua lehtësuar punën ushtarëve që po e mbajnë vijën e frontit. Në pranverën e vitit 2022, vullnetarët prisnin në radhë për t’u bërë pjesë e ushtrisë, por përderisa lufta po vazhdon pa afat, ka më pak rekrutë të etur.

Masat me të cilat ushtrisë i lejohet që të thërrasë më shumë burra për ushtri dhe për ashpërsimin e ndëshkimeve për ata që e shmangin rekrutimin u miratuan muajin e kaluar nga presidenti Volodymyr Zelensky. Mosha minimale e mobilizimit u ul nga 27 në 25 vjeç, dhe nga 18 maji, ata që e shmangin rekrutimin mund ta humbin patentë shoferin, t’u ngrihet xhirollogaria bankare dhe t’u konfiskohen pronat.

Në qendrën e rekrutimit në Kharkiv, ndërkohë, Antoni shpjegoi se ishte vullnetar që po bënte punë të dobishme në një organizatë joqeveritare. Kjo nuk i la përshtypje zyrtarit ushtarak që po e intervistonte. Ai i tha Antonit se duhej të paraqitej brenda tri ditëve para një komisioni mjekësor, i cili do të vlerësonte nëse ai i plotëson kushtet për të hyrë në ushtri. Nëse nuk do të paraqitej, do të ndëshkohej me 5.100 hryvnia (120 euro). “Kishte urrejtje në sytë e tij. Ishte Dalek. Ai theksoi se Ukraina ka qenë duke luftuar kundër Rusisë nga viti 2014” – tha shoku i Antonit, Serhii.

Zyrtari tha se nëse Antoni nuk dëshiron që të shërbejë në ushtri, ai mund ta kalojë në not lumin Tisa drejt Rumanisë, njëra nga disa prej rrugëve që përdoren nga shmangësit e rekrutimit. Ose do të mund të “kalonte në tunel” drejt qytetit rus, Belgorod.

“Ishte shaka, por jo shaka” – tha Serhii. Në vend të këtyre mundësive, Antoni u zhduk. Ai u vendos në një fshat. Tani punon nga largësia. “E dua vendin tim, por nuk mund ta vras askënd dhe nuk dua të vdes. Të gjithë janë lodhur nga lufta dhe nga kjo qeveri. Është një qëndrim “ *ijeni veten” – tha Serhii.

*Emri i personazhit kryesor është ndryshuar.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme