E çuditshme: Krijohen kolona veturash në kryeqytetin e Koresë së Veriut
Nga uria te lufta bërthamore, banorët e Koresë së Veriut kanë pasur shumë arsye për t’u brengosur gjatë viteve të fundit. Tani, banorët e kryeqytetit ballafaqohen me një shqetësim më të thjeshtë: gjetja e një vendim për parkimin e veturës.
Kryeqyteti koreanoverior po përjeton rritje të numrit të veturave, duke pasur kolona në trafik për herë të parë dhe duke i bërë të nevojshme vendparkingjet e reja dhe infrastrukturën për rimbushjen e veturave me rrymë për t’i plotësuar nevojat, sipas tre personave që e vizituan rishtazi qytetin dhe pamjeve satelitore të analizuara nga agjencia “Reuters”.
Lulëzimi i kulturës së veturave në njërin nga shtetet më të sanksionuara dhe më të pazhvilluara ekonomikisht në botë është mjaft i çuditshëm. Megjithatë, shenjat janë gjithandej. Në disa hotele në Penjan, veturat tashmë i kanë mbushur hapësirat e parkingjeve. Muajin e kaluar, udhëheqësi i vendit, Kim Jong, vizitoi një qendër të servisimit të veturave, ku inspektoi disa automjete, edhe pse ato ishin të mbuluara.
Rritja e numrit të veturave vjen pas ndryshimeve në një ligj që e formalizoi pronësinë private të tyre gjatë dy viteve të kaluara, duke lejuar vozitës të licensuar që të blejnë një veturë për amvisëri përmes shitësve të certifikuar nga shteti. Megjithatë, analistët thonë se pronësia e veturës ende është kryesisht shenjë dalluese e shtresës elitare dhe klasës së ndërmarrësisë.
Reporterët e agjencisë “Reuters” ekzaminuan dhjetëra pamje satelitore dhe përmbajtje të vërtetuar në rrjete sociale ku shihej trafiku i shtuar dhe automjetet e brendeve të huaja në Korenë e Veriut dhe biseduan me mbi dhjetë burime, përfshirë biznesmenë, diplomatë e persona që e kanë vizituar rishtazi shtetin e largët.
Peter Ward, hulumtues në Institution “Sejong” në Seul, tha se politika e Koresë së Veriut për veturat është pjesë e një fushate më të gjerë për ta vendosur aktivitetin ekonomik nën kontrollin e shtetit.
Sipas tij, udhëheqësi i vendit e ka lejuar pronësinë private të veturave, sepse ajo e kanalizon konsumin përmes firmave shtetërore – veturat shiten nga tregtarë shtetërorë, mirëmbahen nga kompani shtetërore të shërbimeve dhe rimbushen në pompa shtetërore të derivateve.