Dyshohet se rebelët Houthi sulmuan një anije greke që u përmbyt: 4 të vdekur e 14 të zhdukur
Ekipet e shpëtimit nxorën të gjallë shtatë anëtarë ekuipazhi nga Deti i Kuq të mërkurën dhe po kërkonin 14 të tjerë ende të zhdukur nga njëra prej dy anijeve që u fundosën brenda dy ditëve. Dyshohet se anijet u fundosën nga sulmet e rebelëve Houthi të Jemenit.
Katër nga 25 personat që ndodheshin në anijen e mallrave “Eternity C” u vranë para se pjesa tjetër e ekuipazhit të largohej prej saj. Anija u fundos të mërkurën në mëngjes, pasi ishte sulmuar të hënën dhe të martën, thanë burimet në kompanitë e sigurimeve që po merren me procesin e shpëtimit.
Shtatë detarët që u shpëtuan kishin qëndruar për më shumë se 24 orë në ujë, shtuan burimet, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Nuk pati koment të menjëhershëm nga rebelët Houthi për gjendjen e anijes “Eternity C”, por grupi e kishte marrë përgjegjësinë për një sulm të ngjashëm të dielën ndaj një anijeje tjetër, “Magic Seas”. Të gjithë anëtarët e ekuipazhit të saj u shpëtuan para se anija të përmbytej.
“Ne do të vazhdojmë që t’i kërkojmë të tjerët e ekuipazhit deri në dritën e fundit” – tha një zyrtar në kompaninë për menaxhimin e rrezikut detar me seli në Greqi, “Diaplous”. “Ne synojmë një operacion paqësor” – tha ai.
Të dyja anijet e përmbytura mbanin flamuj të Libisë dhe operoheshin nga kompani greke.