Dyshohet se një i ri në Spanjë rezervonte për veç 1 cent dhoma në hotele luksoze - NACIONALE

Dyshohet se një i ri në Spanjë rezervonte për veç 1 cent dhoma në hotele luksoze

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Policia spanjolle ka arrestuar një burrë 20-vjeçar që dyshohet se kishte hakuar një uebfaqe për rezervime në hotele dhe kishte rezervuar dhoma që kushtonin deri në 1.000 për një natë për vetëm 1 cent.

Ai u arrestua përderisa po qëndronte në një hotel në Madrid, ku akuzohet se ka shkaktuar humbje prej më shumë se 20 mijë eurosh gjatë disa qëndrimeve, raporton televizioni BBC.

Policia tha se krimi i dyshimtë e përfshinte ndryshimin e sistemit të verifikimit të pagesave dhe është i pari i llojit të vet që është zbuluar.

Hetimi kishte nisur pas raportimit të aktivitetit të dyshimtë nga një uebfaqe për rezervim udhëtimesh. U nevojitën vetëm katër ditë që hetimi të përmbyllej. Sipas mediave spanjolle, i dyshuari e kishte përdorur identitetin e tij të vërtetë për t’i bërë rezervimet.

Sipas policisë, i dyshuari besohet se e kishte sabotuar sistemin e pagesave përmes një sulmi kibernetik, duke bërë që sistemi ta autorizonte transaksionin e tij pasi fuste vetëm një cent për pagesë.

Policia tha se tha se transaksioni fillimisht figuronte si i kryer në mënyrën e duhur. Parregullsia u zbulua vetëm kur platforma e pagesave e transferoi shumën e vërtetë – 1 cent – te kompania e hoteleve.

Katër ditë më vonë, policia e lokalizoi të dyshuarin në një hotel në Madrid dhe e arrestoi atë. Qëndrimin e fundit aty e kishte për katër net, që normalisht kushton 4.000 euro.

Hoteli tha se burri i dyshuar kishte shfrytëzuar edhe produkte të tjera në mini-bar dhe kishte lënë fatura të tjera pa i paguar.

Në deklaratën e policisë lihet të kuptohet se ishin bërë rezervime edhe në hotele të tjera, por nuk u dhanë hollësi.

Mediumi spanjoll “ABC” raportoi se i dyshuari ishte arrestuar edhe më parë në Ishujt Kanari, ku gjithashtu kishte qëndruar në një hotel luksoz./Nacionale

Lajme të ngjashme