Dyqanet në Britani në hall me hajnat e çokollatave, i vendosin në kuti kundër vjedhjes - NACIONALE

Dyqanet në Britani në hall me hajnat e çokollatave, i vendosin në kuti kundër vjedhjes

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Çokollatat në disa dyqane në Britani po vendosen në kuti kundër vjedhjes. Shitësit me pakicë dhe policia thonë se ky produkt po vidhet me porosi.

Zinxhiri i dyqaneve “Sainsbury” tha se ka filluar që të përdorë “kuti për produktet që rregullisht vihen në shënjestër”. Çokollatat “Cadbury Dairy Milk”, që kushtojnë 2,6 funte për copë, janë vendosur në kuti të tilla në një degë në Londër, raporton televizioni BBC.

Disa forca policore i thanë televizionit se kanë parë një trend specifik të vjedhjes së çokollatave. Këshilli Kombëtar i Shefave të Policisë tha se është duke punuar për ta luftuar këtë lloj të krimit.

Policia në Cambridgeshire BBC-së i tha: “Çokollata është një prej produkteve me vlerë të lartë që hajnat e shënjestrojnë shpesh, bashkë me produkte si alkooli, mishi dhe kafeja.”

Grupi “The Heart of England”, që ka 38 dyqane në pjesë të ndryshme të vendit, i tha BBC-së se vjedhja e çokollatave vitin e kaluar i kushtoi 250.000 funte. Ky ishte produkti më i vjedhur në kompani në vitin 2024, ndërsa vitin e kaluar e zuri vendin e dytë, pas alkoolit.

Shefi ekzekutiv, Steve Browne, i tha transmetuesit publik britanik se vjedhja e çokollatave ishte “problem masiv”. “Në një dyqan të caktuar, një individ mund të na dëmtonte me mijëra funte për një javë. Ata hynin... pastaj, në kuptimin e fjalëpërfjalshëm, e fshinin tërë raftin” – u ankua ai.

Fiona Avenal Malone drejton një dyqan në Tenby të Uellsit dhe tha se po humb nga 200 deri në 300 funte në javë si pasojë e vjedhjes së çokollatave.

“Ne vërejtëm se kishim vendosur një linjë të plotë të çokollatave dhe, krejt papritur, mbetej vetëm një” – tha ajo.

“Pastaj shkon dhe i kontrollon kamerat dhe e sheh [vjedhjen] duke ndodhur, në ekran, gjë që është vërtet frustruese” – shtoi zonja Malone./Nacionale

Lajme të ngjashme