Dy trupa gjenden në veturën e bërë shkrumb në Suedi
Policia suedeze është duke hetuar një vrasje të dyfishtë, pasi dy trupa u gjetën në një veturë të djegur shumë, që ishte marrë me qira nga një shtetas britanik.
Vozitësi dhe pasagjeri, që kishin udhëtuar nëpër kufirin Danimarkë – Suedi dhe kishin hyrë në qytetin jugor suedez, Malmo, u qëlluan të dielën, sipas gazetës “Aftonbladet”.
Veturës së tipit “Toyota RAV4”, e cila ishte marrë me qira në aeroportin e Kopenhagës, më pas i ishte vënë flaka në një zonë industriale të Malmos. Identiteti i viktimave nuk është publikuar, raporton gazeta "The Guardian".
Një zëdhënës i Zyrës së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar tha se ky dikaster është duke i përkrahur familjet e dy burrave britanikë që ishin raportuar të zhdukur në Suedi.
Vetura ishte marrë me qira nga një shtetas britanik dhe një ekip suedez i forenzikës është duke punuar për identifikimin e viktimave, raportoi të martën e përditshmja suedeze.
Kerstin Gosse nga policia suedeze tha se forcat e sigurisë po u bëjnë thirrje dëshmitarëve të mundshëm që e kanë parë veturën e zezë të bisedojnë me autoritetet.
Policia refuzoi të komentonte nëse vrasja e këtyre dy personave është e lidhur me dhunën e bandave. Raportohet se edhe organizata ndërkombëtare e policisë, Interpol, është duke marrë pjesë në hetim, pasi viktimat kishin kaluar kufij ndërkombëtarë gjatë udhëtimit.