Dy të vrarë e dëme të gjera nga sulmet e reja ruse në Ukrainë
Rusia e sulmoi Ukrainën me raketa e qindra dronë gjatë natës së kaluar, duke vrarë dy njerëz, duke plagosur 15 e duke shkaktuar dëme e zjarre në disa pjesë të vendit, tha të hënën presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Shpërthimet e ndriçuan qiellin dhe dronët u dëgjuan duke fluturuar në Kiev gjatë sulmit që, sipas forcës ajrore ukrainase, përfshiu 426 dronë e 24 raketa, ndërsa 23 dronë i goditën caqet e tyre në mbarë vendin, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Sulmet e Rusisë janë gjithmonë kundër njerëzimit: një çerdhe fëmijësh, ndërtesa banimi dhe infrastrukturë tjetër civile e djegur në Kiev” – shkroi Zelensky në rrjetin “Telegram”.
Mediat ruse thanë se edhe Ukrainë kishte kryer sulme me dronë, duke shkaktuar kaos në aeroporte, ku mijëra pasagjerë pritën në radhë ose fjetën në dysheme, pasi fluturimet u anuluan ose u shtynë.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se kishte rrëzuar 117 dronë ukrainas gjatë natës, përfshirë 30 mbi rajonin e Moskës.
Zelensky tha të shtunën se donte t’i përshpejtonte bisedimet për armëpushim dhe se Kievi kishte propozuar bisedime të reja javën e ardhshme.
Në komentet e publikuara nga televizioni shtetëror rus të dielën, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se presidenti rus, Vladimir Putin, ishte i gatshëm që të lëvizë drejt një zgjidhjeje për paqe, por se objektivi kryesor i Moskës mbetet arritja e qëllimeve të saj.
Presidenti amerikan, Donald Trump, është bërë gjithnjë më i frustruar me homologun rus, Vladimir Putin, dhe javën e kaluar njoftoi një valë të re të dërgesave të armëve për Ukrainën, përfshirë sistemet e mbrojtjes ajrore “Patriot”.
Bashkimi Evropian miratoi sanksione të reja ndaj Rusisë javën e kaluar, përfshirë ato me të cilat synohet goditja e naftës dhe industrisë energjetike./Nacionale