Dy shpërthime në Suedi, të paktën tre të lënduar
Dy shpërthime të fuqishme ndodhën natën e kaluar në ndërtesa banimi në pjesën qendrore të Suedisë, duke lënë të paktën tre të lënduar e duke dëmtuar ndërtesa.
Të hënën vonë, një shpërthim ndodhi në Hasselby, në periferi të kryeqytetit Stokholm. Në orët e hershme të së martës, një shpërthim tjetër ndodhi në Linkoping, rreth 175 kilometra në jugperëndim. Nuk dihej nëse dy shpërthimet ishin të ndërlidhura mes vete, raporton agjencia “Associated Press”.
Gazeta suedeze, “Expressen”, tha të martën se të dyja shpërthimet ishin të lidhura me një armiqësi mes grupeve kriminale, problem në rritje në Suedi, ku po ndodhin të shtëna e shpërthime. Dy banda – njëra e udhëhequr nga një person me shtetësi të dyfishtë suedeze e turke, që jeton në Turqi, tjetra e udhëhequr nga ish-eprori i tij – raportohet se janë duke luftuar për drogë dhe armë.
Deri më tani këtë vit, në Suedi kanë ndodhur 261 raste të të shtënave, duke lënë të vrarë 36 persona të vrarë e 73 të plagosur.
Policia tha se banorët në zonën e prekur nga shpërthimi në Linkoping u evakuuan në një sallë të sportit. Në Hasselby, tre persona u dërguan në spital. Gjendja e tyre nuk qe e ditur. Polciia tha se asnjë person nuk ishte arrestuar menjëherë.
Pas këtyre shpërthimeve, Qeveria e Suedisë tha se do të zhvillojë një takim për të identifikuar masa për ta luftuar dhunën e bandave e të cilat mund të zbatohen shpejtë, ministri i Drejtësisë, Gunnar Strommer, dhe ministri i Mbrojtjes Civile, Carl-Oskar Bohlin, do të marrin pjesë në takim bashkë me zyrtarë të tjerë, përfshirë përfaqësues të komunave dhe rajoneve të vendit.
“Ne tani do t’i bëjmë bashkë të gjithë aktorët përkatës për të zbuluar së bashku se çfarë mund të bëhet në aspektin afatshkurtër dhe afatgjatë”- tha ministri Strommer.
Deri më 15 shtator, në Suedi kanë ndodhur 124 shpërthime, sipas policisë. Më së shumti shpërthime për një vit kishte më 2019 – 133 sosh.
Më herët këtë muaj, një djalë 13-vjeçar u gjet i qëlluar me armë në kokë në një pyll jo larg shtëpisë së tij afër Stokholmit. Një prokuror tha se vdekja e adoleshentit ishte shembull i frikshëm i “dhunës flagrante e tërësisht të pamatur të bandave”.
Të premten e javës së kaluar, dy persona u vranë dhe dy të tjerë u plagosën, kur një person i armatosur hapi zjarr në një kafene plot njerëz në veriperëndim të Stokholmit. Policia tha se njëri nga të vrarët, me gjasë, ishte në shënjestër të sulmuesit.
